Koha kur Meryl Streep luante shefen e keqe Miranda Priestly në “Djalli vishet me Prada” nuk ishte aspak një periudhë e këndshme për aktoren.
Në një intervistë me Entertainment Weekly, ku të pranishme qenë edhe Anne Hathaway (Andrea Sachs), Emily Blunt (Emily Charlton) dhe Stanley Tucci (Nigel), Meryl Streep tregoi se ajo periudhë ishte “e tmerrshme”.
Aktorja zbuloi se ndoqi disa teknika aktrimi, të njohura si “the method”, në mënyrë që ta përcillte më mirë figurën e Miranda Priestly-t.
Metoda e aktrimit përbëhet nga shumë teknika trajnimi dhe provash që kanë si synim të inkurajojnë një rol më shprehës dhe të ndihmojnë aktorët që të përjetojnë emocionet e brendshme të personazhit.
“Ishte e tmerrshme! Ndihesha e mjerë në trailer. I dëgjoja të gjithë që kënaqeshin dhe qeshnin, ndërsa unë isha në depresion. Mendova: ‘Epo, ky është çmimi që paguan kur je shefja’.”
Aktorja u shpreh se ishte hera e fundit “që provoi teknikat e metodës”.
Një gjendje e tillë ndodh shpesh te aktorët, pasi futja thellë në emocionet e personazheve mund t’u shkaktojë probleme psikologjike, sepse ndodh që të hasin vështirësi për t’u shkëputur nga personazhi.