Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini përmes një videomesazhi i është përgjigjur pyetjeve të mësuesve dhe studentëve.
Shahini ka sqaruar pse mësuesit nuk mund të marrin bonuse si infermierët dhe mjekët. Sipas saj, bluzat e bardha janë në linjën e parë të luftës dhe janë më të rrezikuar, ndërsa mësuesit kanë qenë të sigurtë nëpër shtëpi. Pra, sipas saj rreziku për jetën nuk është i njëjtë.
“Infermierët dhe mjekët janë në linjën e parë në front. Ata janë të rrezikuar, shëndeti i tyre është i rrezikuar sepse po punojnë në vatrat e infeksioneve. Ne të tjerët kemi punuar gjatë gjithë kohës, por kemi qenë të sigurtë nëpër shtëpitë tona. Pra, nuk është rreziku i njëjtë që të konsiderojmë edhe intensitetin e punës ta kemi patur të njëjtë”, tha Shahini.
Ministrja i bëri thirrje praktikantëve që kanë humbur pagën e luftës që të kalojnë pranë zyrave arsimore që të marrin vërtetimin e sigurimeve shoqërore pasi nuk janë sigurime shoqërore të një të punësuari, por për stazhin që po kryejnë nëpër shkolla.
“Me këtë lloj vërtetimi, ju mund të përfitoni edhe pagën e luftës në vendin ku jeni të punësuar në sektorin privat”, sqaroi ajo.
Sa i përket provimeve për kualifikimin e mësuesve, Shahini tha se do të zhvillohen në momentin e parë që do të ketë një dakordësim nga Task-Forca për koronavirusin. Megjithatë ajo mendon se këto provime nuk mund të zhvillohen para Qershorit.
“Është e mundshme që të bëhen edhe në korrik pasi të mbyllim të gjitha detyrimet që kemi me Maturën Shtetërore. Sido që të jetë, ju njoftojmë në kohë që të keni mundësi të përgatiteni për të gjitha këto provime dhe të jeni në kohë me të gjitha detyrimet që mund të keni në këtë periudhë”, shprehet Ministrja Shahini.