Ekonomi Pse “modeli” Toskana nuk aplikohet dot në Shqipëri?

Pse “modeli” Toskana nuk aplikohet dot në Shqipëri?

Agroturizmi si një pikë që bashkon bujqësinë me turizmin shihet si një mundësi e mirë për të rritur përfitimet ekonomike të zonave rurale.

Modele të suksesshme të agrotuizmit kanë zënë vend në Shqipëri prej disa vitesh, por ndikimi i tyre mbetet i kufizuar.

Qeveria në strategjinë e saj për sektorin ka analizuar disa modele të suksesshme agroturizmi në botë ku në bazë qëndron Toskana në Itali duke iu përgjigjur edhe pyetjes se pse një model i tillë nuk tërheq investime të mëdha në vendin tonë. Në thelb problemi lidhet me çështjen e pronësisë së tokës si dhe parcelizimit të lartë të saj.

“Pavarësisht se përhapja e një numri të madh mikro-fermash paraqet, nga njëra anë, një tipar karakteristik, në realitet, problemet lidhur me pronësinë e tokës dhe fragmentimin e pronës së fshatarëve e bëjnë të vështirë tërheqjen e investimeve dhe zbatimin në praktikë të një modeli të stilit italian të fokusuar te prevalenca, duke pasur parasysh numrin e vogël të fermave të regjistruara dhe numrin e kufizuar të shoqërive që janë të afta të shesin lëndë të para dhe produkte bujqësore të gjurmueshme. Gjithashtu, kjo ngadalëson mundësinë e implementimit të një sistemi kontrolli për garantimin e pajtueshmërisë me kërkesat ligjore, dhe paraqet shpeshherë një nivel të lartë kompleksiteti”, thuhet në dokument.

Por pavarësisht se modeli italian është më i suksesshmi dokumenti nënvizon se Shqipëria mund të gjejë veten shumë mirë brenda kushteve të saj duke u fokusuar tek gjërat që e bëjnë më autentike në sytë e të huajve.

“Biodiversiteti i pasur i bujqësisë shqiptare, tradita e gjatë e përdorimit të bimëve të egra dhe aromatike, autenticiteti i prodhimeve dhe metodave tradicionale, varietetet e shumta në vreshta dhe ullishte (që përbëjnë përgjithësisht një risi për turistët ndërkombëtarë), prodhimi i mjaltit në zona të largëta dhe marxhinale, mishrat e shkëlqyer dhe kopetë e egra që enden zonave malore i mahnisin turistët dhe i nxisin ata të provojnë, blejnë e eksperimentojnë me prodhimet vendase. Këto thesare shqiptare përbëjnë bazën e një agroturizmi të suksesshëm, i cili arrin të promovojë dhe të rrëfejë historinë e zonës duke dëshmuar njëkohësisht pasurinë e madhe të trashëgimisë rurale: kapitalin njerëzor dhe pasionin e burrave dhe grave që arrijnë të përftojnë edhe prej tokave më të egra prodhime autentike me vlera të mëdha për shëndetin”, thuhet në dokument.

Një element që shihet si kufizues për agroturizmet është infrastruktura e cila e bën të vështirë aksesin. Strategjia nënvizon se pengesa e parë për shijimin e këtyre zonave natyrore është vështirësia për t’i aksesuar ato, si për shkak të mungesës së një rrjeti rrugor apo mungesës së transportit publik, ashtu edhe për shkak të sinjalistikës së varfër rrugore.

“Problemi i infrastrukturës rrugore ndikon së tepërmi te strukturat e agroturizmit, të cilat ndodhen pothuajse të gjitha në zona të thella. Nga takimet në terren gjatë studimit “Analiza e agroturizmit” të mbajtur në zonë, si dhe nga takimet konsultative me Shoqatën Shqiptare të Agroturizmit, përpjekjet për promovimin e turizmit në vend pengohen shpeshherë nga pamundësia, veçanërisht për grupet e vogla dhe të mesme të turistëve, për të planifikuar itinerare ose nga koha e tepërt që nevojitet për të arritur destinacione të ndryshme dhe atraksione turistike dhe kulturore” thuhet në strategji./Monitor