Periudha e Covid-19 la shumë njerëz të kuptojnë se si është të humbasësh shqisën e nuhatjes. E njohur si “anosmia”, humbja e nuhatjes mund të ketë një efekt thelbësor në mirëqenien tonë të përgjithshme dhe cilësinë e jetës.
Por ndërsa një infeksion i papritur i frymëmarrjes mund të çojë në një humbje të përkohshme të kësaj ndjesie të rëndësishme, ndjenja juaj e nuhatjes mund të jetë zhdukur gradualisht për vite me radhë për shkak të diçkaje tjetër, ndotjes së ajrit.
Grimcat e vogla të ndotjes së ajrit, që krijohen kryesisht nga djegia e karburanteve në automjete kanë një ndikim të madh në mosfunksionimin e nuhatjes. Ka dy llamba nuhatjeje në anën e poshtme të trurit, një mbi çdo zgavër të hundës. Kjo pjesë e ndjeshme është thelbësore për shqisën tonë të nuhatjes. Po ashtu na mbron nga viruset dhe grimcat ndotëse, por nëse jemi vazhdimisht pjesë e një mjedisi të ndotur, kjo mbrojtje dobësohet.
Sipas të dhënave nga Shkolla e Mjekësisë në Baltimore të Amerikës, rreziku për t’u prekur nga anosmia është rritur me 1.6 herë.
Ekspertët nga kjo shkollë, nisën analizën e të dhënave për të kuptuar nëse numri i pacientëve me anosmi lidhet me ambientin ku ata jetojnë. Për 4 vite, 2690 pacientë u studiuan, duke zbuluar më pas se 20% prej tyre kishin anosmi dhe shumica nuk ishin duhanpirës dhe lagjet ku ata jetonin ishin shumë të ndotura.
Një studim i kohëve të fundit në Breshia, në Italinë veriore, zbuloi se adoleshentët dhe të rinjtë janë bërë shumë më pak të ndjeshëm ndaj aromave, kjo pasi çdo ditë ekspozohen nga ndotësit. Të njëjtën gjë vërtetoi dhe një studim një-vjeçar në Brazil.
Por saktësisht se si po e shkatërron ndotja aftësinë tonë për të nuhatur?
Ekspertët thonë se ka shumë mundësi që grimcat e ndotjes kalojnë nga hunda direkt e në tru duke shkaktuar inflamacion.
Në vitin 2016, një ekip studiuesish britanikë gjetën grimca të vogla metalike në indet e trurit të njeriut që dukej se kishin kaluar nëpërmjet llambës së nuhatjes. Asokohe, studiuesit thanë se grimat e gjetura metalike ishin shumë të ngjashme me ato në rrugët e ngarkuara nga ajri i ndotur.
Duke kaluar shumë shpejt në tru, këto grimca metalike shkaktojnë dëmtim oksidativ të rrugëve nervore, teori kjo që sipas ekspertëve do dhe disa studime për t’u vërtetuar plotësisht.
Një tjetër dyshim për këtë mosfunksionim, lidhet me dobësimin e nervave në hundë prej ekspozimit të përsëritur ndaj ndotjes. Shqetësimi është rritur ndjeshëm për këtë fenomen pasi nëse njerëzve u dobësohet në masë shqisa e nuhatjes, rrjedhimisht ata do të kenë problem me konsumimin e ushqimit. Njerëzit do kërkojnë të konsumojnë ushqime me shije më të fortë, shpesh të kripura ose yndyrore, ose më e keqja që të mos hanë shumë duke i çuar në nënpeshë.
Ndotja e ajrit
Era dhe shija janë gjithashtu të lidhura me kujtesën. Aromat janë një element që na rikthejnë shpesh tek momente që kemi përjetuar, qoftë dhe shumë kohë më parë. Një fenomen i tillë do të shtonte dhe rritjen e vdekjeve tek moshat e treta. Ekspertët thonë se ajri duhet të bëhet më cilësor dhe për këtë nevojiten politika e ligje strikte, ose përndryshe gradualisht njerëzit do të vuajnë të gjitha pasojat e rënda.