Extra Pse nuk ekzistonte Alzheimeri në kohën e grekëve dhe romakëve të lashtë?

Pse nuk ekzistonte Alzheimeri në kohën e grekëve dhe romakëve të lashtë?

Hipokrati duke refuzuar dhuratat nga Artakserksi I i Persisë

Më shumë se 6 milionë amerikanë të të gjitha moshave vuajnë nga Alzheimeri. Rreth 1 në 10 njerëz të moshës 65 vjeç e lart, është prekur nga kjo sëmundje neurodegjenerative më pasoja shumë të rënda. Ndërsa ekspertët dinë sot shumë më tepër mbi këtë sëmundje, ata nuk e dinë ende arsyen e saktë se çfarë e shkakton atë.

Aktualisht kjo sëmundje nuk ka një kurë. Por një studim i ri, ka arritur në përfundimin se kjo formë e demencës mund të jetë një fenomen i kohëve moderne. Studiuesit në Universitetin e Kalifornisë Jugore (USC), analizuan tekste klasike mjekësore nga Greqia dhe Roma e lashtë, dhe mezi mundën të gjejnë ndonjë përmendje të simptomave në përputhje me një diagnozë të demencës.

Kjo e sfidon konceptin se Alzheimer është një sëmundje që e ka shoqëruar përherë njerëzimin. Po lë gjithashtu të kuptohet edhe ndikimin e madh që ka stili modern i jetesës në përhapjen e demencës. Caleb Finch, profesor i njohur në Shkollën Gerontologjike të USC dhe historiani Stanley Burstein studiuan me kujdes veprat e Hipokratit dhe pasardhësve të tij, si dhe tekstet e mëvonshme romake, për të gjetur simptomat që tani do t’i lidhnim me demencën.

Ata zbuluan se grekët e vjetër, e pranonin se plakja mund të sillte me vete një lloj shkalle të dëmtimit të kujtesës, të ngjashme me atë që ne sot do ta klasifikonim si dëmtim të butë të aftësive njohëse (MCI). Por nuk kishte asnjë tregues për humbjet serioz të kujtesës, të aftësisë për të folur dhe arsyetuar, që përcaktojnë sot diagnozën e Alzheimerit.

Vetëm në kohën e romakëve, nisën të shfaqeshin referencat mbi atë që mund të interpretohej si demencë, edhe pse në një masë jo shumë të madhe. Përmendjet më të famshme janë ato të Galenit mbi vështirësitë e të mësuarit tek të moshuarit dhe rrëfimin e Plinit Plak për një senator që harronte emrin e tij.

“Demenca e të moshuarve është tipar i pleqve të papërgjegjshëm, por jo i të gjithë pleqve”- shkruan Ciceroni në një nga tekstet e mbijetuara deri në ditët tona. Këto rrëfime, janë të dhëna mjekësore shumë të vlefshme mbi rënien e aftësive njohëse në botën e lashtë.

Por ato shfaqen rrallë. Ato pak referenca nuk përputhen me epideminë e demencës që po përjetojmë sot. Ndaj a është e mundur që demenca të shkaktohet kryesisht nga mënyra e jetesës post-moderne? Hulumtimi propozon një argument bindës, se demenca mund të jetë kryesisht një produkt i mjediseve dhe i stileve moderne të jetesës.

Finch sugjeron se rritja e dendësisë së qyteteve romake dhe shtimi i ndotjes që e pasoi, së bashku me përdorimin e plumbit në enët e gatimit dhe tubacionet e ujit, mund të kenë kontribuar në një rritje të rënies njohëse dhe përmendjeve të mëvonshme të simptomave në tekstet mjekësore.

Aristokratët romakë përdornin më shpesh gota dhe takëme të bëra nga plumbi, një neurotoksinë shumë e fuqishme. Madje ata i shtuan acetat plumbi verës që pinin për ta ëmbëlsuar atë.

Por, dikush mund të thotë se Alzheimeri ishte i rrallë në antikitet, pasi nuk kishte aq shumë njerëz të moshuar.

Në librin e tij “Historia ekonomike e botës greko-romake, Walter Scheidel vlerëson se gjysma e qytetarëve të Romës vdiqën në moshën 10-vjeçare. Nga ata që ishin ende gjallë në moshën 10-vjeçare, gjysma do të vdisnin në moshën 50-vjeçare. Në veprën e tij “Pleqëria në botën romake: Një histori kulturore dhe sociale”, profesor Tim Parkin nga Universiteti i Melburnit vlerëson se 6-8 për qind e popullsisë në botën romake në shekullin e parë të erës sonë, ishte 60 vjeç ose më i moshuar.

Sa për krahasim, sipas një regjistrimi të vitit 2020, rreth 17 për qind e popullsisë amerikane është mbi 60 vjeç. Zakonisht, simptomat e Alzheimerit nisin të shfaqen në moshën 65 vjeç e lart. Edhe pse jo shumë njerëz e arritën këtë moshë në Romën e lashtë, kjo mund të shpjegojë mungesën e përmendjeve në përputhje me simptomat e demencës në tekstet e lashta mjekësore.

Por kjo mund të shpjegojë vetëm pjesërisht gjetjet. Hipoteza e Finch-it nuk është ndonjë spekulim i pabazë, sepse ne kemi sot prova që mund të ketë diçka që shkon keq me stilin tonë të jetesës post-industriale dhe që mund të lidhet në një farë mënyre me Alzheimerin.

Në vitin 2022, studiues të udhëhequr nga Margaret Gatz, profesore e psikologjisë, gerontologjisë dhe mjekësisë parandaluese në Universitetin e Kalifornisë së Jugut, udhëtuan thellë në xhunglën e Amazonës. Atje, ata studiuan popullin Tsimane të Amazonës boliviane, stili para-industrial i jetesës i të cilëve, pasqyron atë të qytetërimeve të lashta mijëra vjet më parë.

Populli Tsimane numëron rreth 16.000 njerëz që jetojnë në fshatra kryesisht buzë lumenjve, të shpërndarë në rreth 3.000 milje katrorë të xhunglës së Amazonës. Ata janë fermerë që peshkojnë, gjuajnë dhe presin pemë me hanxhar, gjë që i mban të gjithë fizikisht aktivë gjatë gjithë jetës së tyre.

Populli fqinje me ta, Mosetén, që numëron rreth 3.000 njerëz dhe ka lidhje të ngushta kulturore me Tsimanet, banon në fshatra rurale dhe mbështetet për mbijetesë tek punët bujqësore. Megjithatë, ata jetojnë më afër qyteteve, kanë shkolla dhe qasje në sistemin shëndetësor, por edhe tek rrugët dhe energjinë elektrike.

Studiuesit gjetën vetëm 5 raste të demencës në mesin e 435 njerëzve të popullit Tsimane të moshës 60 vjeç e lart, dhe 1 rast midis 169 njerëzve të moshuar të fisit Mosetén. Kjo është shumë më e ulët se sa shkalla e incidencës në vendet perëndimore.

Në vendet me të ardhura të larta me shkallë të lartë të demencës tek të moshuarit, popullsia përgjithësisht nuk angazhohet në aktivitetin fizik të rekomanduar dhe ka një dietë të pasur me sheqerna dhe yndyrna. Për pasojë, të moshuarit janë më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve të zemrës dhe plakjes së trurit.

Ndërkohë, njerëzit e popullit Tsimane kanë zemra jashtëzakonisht të shëndetshme për moshën e tyre. Dhe kjo nuk është për t’u habitur duke pasur parasysh se ata kanë gjithashtu prevalencën më të ulët të aterosklerozës koronare nga çdo popullatë në botë.

Në vitin 2021, i njëjti ekip nga Universiteti i Kalifornisë së Jugut, zbuloi se njerëzit e popullit indigjen Tsimane në Amazonën boliviane, përjetojnë më pak atrofi të trurit sesa bashkëmoshatarët e tyre amerikanë dhe evropianë. Rënia e tyre në vëllimin e trurit, ndodh në një shkallë që është 70 për qind më e ulët se në popullatat perëndimore.

Njerëzit e lashtë në antikitet, qoftë në Romë, Greqi apo Egjipt, ishin angazhuar në shumë punë fizike për të garantuar zhvillimin e shoqërive të tyre para-industriale. Ashtu si populli Tsimane sot, stili i tyre i jetesës jo sedentare, mund të shpjegojë mungesën e përmendjeve të demencës. Për më tepër, ky hulumtim na fton të rishqyrtojmë mënyrën se si e shohim shëndetin e qytetërimeve të lashta, dhe mësimet që ata mund të na mësojnë ende për të jetuar mirë.

Burimi: Science