Politika Pse pakti detar Shqipëri-Greqi i vitit 2009 ishte një thikë që godiste...

Pse pakti detar Shqipëri-Greqi i vitit 2009 ishte një thikë që godiste dy herë Turqinë

Lulzim Basha dhe Dora Bakojanis

Ferdinand Dervishi, gazetar që ka ndjekur në vijimësi diskutimet mes Shqipërisë dhe Greqisë për caktimin e kufirit detar, thotë se gjithë çështja qëndron tek një ishull i vogël i quajtur Baketa. Sipas tij, njohja e këtij ishulli fare të vogël bën që Shqipëria të humbasë shumë milje detare, pasi baraslargësia matet duke hequr vijë të drejtë nga ky ishull, ndërkohë që toka greke është shumë larg në distancë.

Gazetari Dervishi shprehet se, kjo bëri që Turqia të reagonte për të mos lejuar krijimin e një precedenti që më pas do të përdorej nga Greqia dhe në diskutimet për vendosjen e një kufiri detar mes tyre, ku ishujt e shumtë do të bënin që pala turke të humbiste hapësirë detare.

“Nëse do ta marrim të ngurtë atë marrëveshje komisioni shqiptar është në rregull. Problemi që del është që në këtë marrëveshje ti kemi humbur. Teorikisht je në rregull dhe praktikisht ke humbur. Këtë ishullin të vogël e ke bërë sa toka kontinentale. Barketa është një shkëmb që sipas ligjit të detit, edhe nga batica më e madhe mbetet mbi ujë dhe në kë formë merr titullin e një ishulli, aty fillon dhe ndarja sipas ligjit të konventën së vitit 1982 të miratuar dhe nga Shqipëria”, u shpreh Dervishi.

Gazetari tha më tej se, fuqitë e madha në vitin 1936, për shkak se Turqia dhe Greqia nuk gjenin dot një marrëveshje për detin, i detyruan dy vendet që të pranojnë 6 milje detare nga toka. Por nga marrëveshja Greqi-Shqipëri, Turqia merret një goditje të fortë.

“Ajo që po ndodhte mes Shqipërisë dhe Greqisë nëse do të bëhej ashtu siç ishte nisur, ishte një thikë që godiste dy herë Turqinë. Ishulli i vogël grek mori fuqi të plotë dhe kjo përbente një precedent kundër Turqisë. Shkëmbi Barketa u mor sikur të ishte kontinent, por ka shumë raste në botë që ka ndodhur ndryshe”, tha Ferdinand Dervishi.

Pakti detar Shqipëri-Greqi, si u zhbë nga Kushtetuesja marrëveshja e vitit 2009

Marrëveshja e firmosur më 27 prill të vitit 2009 mes Shqipërisë dhe Greqisë e quajtur “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese 1 vit më vonë, më 15 prill të 2010.

4 ishin argumentet e përdorur nga Gjykata Kushtetuese që nuk ishin në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë:

1- Mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes;

2- Mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes.

3- moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm

4- Mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.

Në lidhje me arsyen e parë, Gjykata vlerësoi se Kushtetuta në nenin 92 të saj i jep Presidentit të drejtën të lidhë marrëveshje ndërkombëtare në emër të Shqipërisë, dhe presidenti këtë e shfrytëzon duke i dhënë autorizimin Ministrit të Jashtëm dhe grupit negociator që ta çojnë përpara negociatën. Marrëveshja e 2009 e kishte shmangur Presidentin nga kjo e drejtë.

Arsyeja e dytë ka të bëjë në mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes. Kjo ka të bëjë më së shumti me titullin e marrëveshjes. Sepse në titull thuhet vetëm që po delimitohet zonat përkatëse, shelfi kontinental dhe zonat e tjera detare por siç argumentoi Gjykata, pala shqiptare duhet të specifikonte me detaje se çfarë do të negocionte duke mos e lënë evazive. Kjo sepse një marrëveshje e tillë mund të sillte humbje të sipërfaqe të detit nga ana e Shqipërisë.

Në lidhje me arsyen e tretë, Gjykata Kushtetuese e vlerësoi si të pasaktë dhe disavantazhuese për Shqipërinë përdorimin e ndarjes me parimin e vijës së mesit të sipërfaqeve detare. Ky parim nuk merr parasysh synimin për ndarjen sa më të drejtë dhe të ndershme mes palëve. Kjo sipas gjykatës do të ndodhte nëse do të merrte parasysh ndarjen e detit territorial ndërmjet brigjeve ballë për ballë, gjatësinë e bregut, formën etj. Ky parim përcaktohet edhe në Konventa ndërkombëtare si parimi i Ekitesë, i ndarjes së ndershme të sipërfaqes detare. Parimi i vijës së mesit, duke mos marrë parasysh natyrën e ishujve dhe masave shkëmbore do të sillte një humbje të detit për Shqipërinë.

Arsyeja e katërt, ka të bëjë me disa ishuj që janë shumë të vegjël dhe të pabanueshëm dhe pa jetë ekonomike. Në marrëveshjen e vitit 2009, Ishulli i Othonoit, Lazaretos, Erikuza dhe shkëmbi Barketa që janë shkëmbinj ujorë, u është dhënë e njëjta peshë si toka kontinentale e Shqipërisë dhe ndarja e vijës së mesit është përcaktuar nga këto ishuj. Jo do të bënte që kufiri i detit të vinte shumë pranë brigjeve shqiptare.

Prandaj Gjykata i është referuar zgjidhjeve të tjera ku këtyre ishujve i është dhënë peshë e pjesshme ose nuk i është dhënë peshë fare. Si pasojë marrëveshja u quajt në kundërshtim me nenet 3,4,7 dhe 92 të Kushtetutës

Me ardhjen e qeverisë socialiste, bisedimet për delimitimin nisën sërish. Këtë herë u rregullua titulli i marrëveshjes dhe u mor plotfuqia e Presidentit, por bisedimet nuk patën asnjë fund. Në media, ish ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, tha se Shqipëria kishte pranuar që Greqia të shpallte 12 milje det territorial, por kjo shpallje mund të ndodhë vetëm në 10 zona nga 150 zona kufitare mes dy vendeve. Kjo deklaratë e ish-diplomatit grek, alarmoi Turqinë, sepse nëse kjo do të përdorej dhe në delimitimin e hapësirës detare mes Turqisë dhe Greqisë, kufiri do të shkonte gati në bregdetin turk.

Që atëherë, marrëveshja midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka ecur përpara./Burimi: Euronews Albania