Bota Pse presidenti Biden po shtyn heqjen e sekreteve për vrasjen e Kennedy?

Pse presidenti Biden po shtyn heqjen e sekreteve për vrasjen e Kennedy?

Heqja e shenjës së fshehtësisë nga arkivat sekrete për vrasjen e ish-presidentit amerikan John F. Kennedy në vitin 1963 në Dallas do të shtyhet për një vit, njoftoi presidenti amerikan Joe Biden.

“Agjencitë kanë propozuar shtyrjen e heqjes së shenjës së sekretit nga informacioni konfidencial në arkiva dhe ju siguroj se kjo do të arrihet deri më 15 dhjetor 2022”, thuajse 60 vjet pas vrasjes, tha Biden në një deklaratë.

Në vitin 2017, ndërsa Donald Trump ishte President i Shteteve të Bashkuara, Arkivi Kombëtar i Shteteve të Bashkuara hoqi tre herë shenjën e fshehtësisë nga një seri dosjesh, transmeton AFP.

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se arkivistët kishin mbetur prapa në kërkimin e tyre për pandeminë COVID-19 dhe kishin nevojë për më shumë kohë për të punuar.

Kjo vonesë është e nevojshme “për të parandaluar çdo sulm ndaj sigurisë ushtarake, operacioneve të inteligjencës, rendit publik dhe marrëdhënieve të jashtme”, tha Biden.

Ai shpjegoi se, pas shqyrtimit të të gjitha fakteve, ato dukej se ishin “më të rëndësishme se interesi i përgjithshëm për heqjen e menjëhershme të klasifikimit të sigurisë nga dosja”.

Komisioni i vrasjes së JFK-së, i njohur gjithashtu si “Komisioni Warren”, i quajtur sipas presidentit të tij, Earl Warren, në atë kohë President i Gjykatës së Lartë të SHBA-së, arriti në përfundimin në vitin 1964 se Lee Harvey Oswald, një ish-marins që jetonte në Bashkimin Sovjetik të atëhershëm, kreu vrasjen e Presidentit Kennedy dhe se ai veproi i vetëm.

Megjithatë, menjëherë pas publikimit, konkluzionet e raportit shkaktuan polemika të shumta dhe në studimet e mëvonshme u kritikua puna e komisionit.

Komisioni i Kongresit më vonë doli në përfundimin se “vrasja e JFK ishte ndoshta rezultat i një komploti”.