Edhe pse ai e konsideron fenë ortodokse si një nga vlerat më të rëndësishme të Rusisë dhe është i rregullt në meshë, të paktën për festat e mëdha, Vladimir Putin është një nga ata njerëz që beson se për fenë nuk duhet folur shumë publikisht.
Për të, kjo është një çështje krejtësisht personale.
Megjithatë, ai e theu këtë “rregull” në një intervistë me CNN në 2017. Ai zbuloi se mbante kudo një kryq që ia kishte dhënë nëna e tij.
“Nuk do të doja të flisja për fenë time. Mendoj se këto gjëra janë të shenjta për çdo individ dhe se besimi është diçka që ne e mbajmë në zemrat tona”, tha ai në fillim të bisedës, duke vijuar të hapet me publikun:
“Mora një kryq nga nëna ime, por nuk e mbaja. Ajo më tha që ta mbaj kryqin kur të shkoj në Izrael, gjë që e bëra gjatë vizitës time të dytë në atë vend. Isha atje zyrtarisht dhe më pëlqeu. Tani e mbaj kudo me vete”, tha Putin, i cili më pas tregoi një anekdotë se si kryqi i mbijetoi “mrekullisht” zjarrit, shkruan Newsweek.
“Unë isha në një vilë afër Shën Petersburg me një mik dhe shkuam në sauna. Unë hoqa kryqin para se të hyja në sauna dhe e lashë mënjanë. Papritur aty pati flakë dhe vrapuam lakuriq jashtë. Më vonë, kur zjarrfikësit po pastronin vendin e gjetën kryqin e lënë nga unë. Isha i sigurt se kishte humbur sepse ishte alumini i thjeshtë dhe duhej të ishte zhdukur në zjarr”, tha presidenti rus, që sipas tij ishte një mrekulli për të që u gjend, ndaj shtoi: “Kjo është arsyeja pse është gjithmonë te unë tani.”
Pra, me këtë qasje ndaj besimit në përgjithësi e kryqit në veçanti, Putin ngjan më tepër me një supersticioz se sa nga një besim i pastër në Ortodoksi.