Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës për shtyp në Rinas, foli dhe për çështjen e vaksinave ruse dhe kineze.
Kreu i qeverisë u shpreh se nuk ka asnjë paragjykim për vaksinat e këtyre dy vendeve, por se për momentin qeveria ka zgjedhur të ndjekë linjën e BE për këtë çështje.
Sipas Ramës, nëse BE do të ndryshojë qasje për vaksinat lindore, atëherë dhe Shqipëria do të rishikojë pozicionin e saj.
“Përsa i përket vaksinave lindore, ruse apo kineze asnjë paragjykim për aspektet shkencore, respekt për shkencëtarët, por zgjedhja jonë është të kërkojmë vaksina në krahun perëndimor të Shqipërisë. Nëse BE do të hapet ndaj vaksinave kineze dhe ruse, ne do të rishikojmë qasjen. Përsa kohë BE është e mbyllur ndaj këtyre vaksinave, ne jemi në krah të tyre”, u shpreh Rama.
Nga ana tjetër kryeministri njoftoi se qeveria është gati arritjes të një marrëveshje me kompaninë AstraZeneca.
“Jemi shumë afër finalizimit të marrëveshjes me AstraZeneca për vaksinën e AstraZeneca. Jemi optimistë që do kemi një sasi të konsuderueshme edhe nga Astra Zeneca. Me Pfizer kemi diskutuar përsëri për muajt Mars-Prill-Qershor sepse skeduli kontraktual është fleksibël, por nuk e kemi varur veten vetëm në duart e Pfizer, as në duart e COVAX, as në duart e BE”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se “janë dhe disa vaksina të tjera rrugës që të dalin dhe të aprovohen. Me të gjithë kemi kontakte”.
I pyetur nëse Shqipëria do të padisë kompaninë Pfizer për shkeljen e kontratës lidhur me vonesën në dërgimin e dozave, Rama tha se Qeveria Shqiptare nuk ka asnjë pakënaqësi pasi kompania ka respektuar marrëveshjen.
“Pfizer nuk ka shkelur kontratën me ne. Skedulet janë brenda. Kjo vlen edhe kur Pfizer mund të vonojë, por edhe kur të shpejtojë. Sepse disa fakira, me publikimin e disa faqeve të vjedhura të kontratës, vrapuan të flasin me ekstrem në vazhdën e përpjekjes për ta helmuar sa më shumë këtë popull duke keqinterpretuar atë pjesë të kontratës duke thënë që vaksinat po vikan për fushatë, po vikan për propagandë. Në këndvështrimin tonë, Pfizer nuk ka shkelur asnjë klauzolë, sepse siç ka kërkuar kohë për të sjellë dozat e para, po diskuton me ne për të sjellë doza më shumë në periudhën e Shkurtit. Kemi raporte fantastike me kompaninë, që janë patjetër vlerë humane e tyre por janë meritë e jona këto marrëdhënie fantastike me kompaninë, por ne po negociojmë edhe me kompanitë e tjera”, ishte kjo përgjigja e Ramës.