Opinione Pse Shqipëria po bëhet një nga vendet e preferuara të spanjollëve?

Pse Shqipëria po bëhet një nga vendet e preferuara të spanjollëve?

Ola Goroveci

Nga Ola Goroveci

Kur u shpërngula në Barcelonë, në vitin 2015, hasesha me mendime shumë kontradiktore lidhur me Shqipërinë teksa flisja me shoqërinë ose kolegë spanjollë.

Disa kishin dëgjuar diçka tek tuk për periudhën e komunizmit, disa të tjerë kishin idenë se Shqipëria ishte një vend i botës së tretë.

“Cila është gjuha që flisni në Shqipëri? Rusisht apo jo? Keni qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik apo Jugosllavisë?” – këto janë pyetjet më të shpeshta që dëgjoja ne Spanjë.

Kur u përgjigjesha në mënyrë negative, shikoja një zhgënjim në sytë e tyre, edhe ndonjëherë edhe turp për faktin se nuk dinin pothuajse asgjë për Shqipërinë e vogël, një vend europian dhe po aq mesdhetar sa edhe vetë Spanja.

Dy vitet e fundit, duket se Shqipëria ka patur një rritje të turizmit të huaj, duke e shndërruar në një nga vendet më të preferuara sidomos për spanjollët.

Një nga shokët e universitetit, i cili punon në një pikë makinash me qiradhënie në Tiranë, është habitur për faktin se shumica e turistëve në verën e vitit 2023 kanë qenë kryesisht nga Spanja.

Çfarë janë disa faktorë që e bëjnë Shqipërinë kaq tërheqëse?

Siç e kam thënë edhe në artikullin e kaluar, ne, europianët e juglindjes kemi një tjetër karakter krahasuar me europianët e perëndimit. Kjo konsiderohet si diçka ekzotike, sepse bie ndesh me çfarë ata janë mësuar të shikojnë në përditshmërinë e tyre.

Dy kolegë spanjollë që vizituan Shqipërinë në verën e vitit 2023 u kthyen me mbresa pozitive. Ajo çka i habiti më shumë është jeta sociale në Tiranë. Dekorimi i bareve dhe restoranteve sipas tyre, dukej sikur nuk ishin në një vend që klasifikohet si një shtet me të ardhura të ulëta.

Një tjetër arsye se pse vendi ynë është kaq tërheqës për spanjollët, është natyra dhe vendet jo shumë turistike malore dhe ato bregdetare. Sipas tyre, bregdeti i jugut shqiptar është po aq i ngjashëm me Kroacinë dhe Greqinë. Një nga arsyet pse ata preferojnë Shqipërinë janë çmimet, pasi mund t’i shtojnë pushimeve të tyre tre ose katër ditë më shumë.

Në momentin që unë jam shpërngulur në Barcelonë, pra në 2015, nuk ka patur shumë shtetas shqiptarë. Vitet e fundit numri është shtuar por fatkeqësisht, nuk ka asnjë restorant shqiptar, dhe si rrjedhojë, spanjollët nuk kanë aspak njohuri rreth kuzhinës shqiptare.

Para pak kohësh, një nga televiozionet spanjolle vizitoi Shqipërinë, dhe u habitën se ne kemi një pjatë të quajtur karavidhe katalanase ose karavidhe e gatuar në stilin katalan.

Kjo ka ngjallur mjaft kuriozitet sidomos për banorët e provincës së Katalonias.

Për shkak se dëshira për të vizituar Shqipërinë është gjithmonë e në rritje, kam përgatitur një dokument pdf me tetë faqe si guidë për miqtë dhe të njohur spanjollë.

Besoj se ky interes turistik nuk është i dobishëm vetëm për vlerën monetare, por edhe për atë kulturore. Nëse tani i thua një spanjolli se je nga Shqipëria, nuk të shikojnë me habi si në 2015-ën, por të pyesin se cili muaj është më i mirë për të vizituar Shqipërinë.