Manuela Lena, një 25-vjeçare nga Tirana ka zgjedhur të pushojë bashkë më familjen në gjysmën e dytë të gushtit në ishullin grek të Zakinthos, për shkak të çmimeve mjaft ekonomike, por edhe kuriozitetit për të parë nga afër këtë destinacion mjaft ekzotik.
“Disa mikesha shkuan vitin e kaluar në një ishull tjetër, Lefkada të Greqisë dhe kishin mbetur të mrekulluara. Zakonisht pushojmë në Ksamil, por pashë fotot e videot nga turet me anije dhe vizitat në ishujt të ndryshëm e vendosa që këtë vit të zgjidhja Greqinë. Nuk kam qenë asnjëherë në Zakinthos, por mendoj se do kënaqem shumë”, thotë ajo për Gazetën Si.
Manuela nuk është vetëm një nga shqiptarët që ka “braktisur” jugun dhe plazhet e mrekullueshme për një destinacion me më shumë oferta: Greqinë. Për herë të parë, numri i pushuesve nga vendi ynë që kanë zgjedhur Greqinë në verën e 2018-ës ka arritur në më shumë se një milionë, edhe pse për qytetarët grekë deri para pak vitesh ishte e paimagjinueshme që shqiptarët të riktheheshin si turistë. Edhe këtë verë po ashtu ata që pushojnë ne vendin fqinj janë të shumtë.
Nga agjencia turistike “Global Tours”, thonë për Gazetën Si se këtë vit ka pasur goxha interes për Greqinë sepse ka çmime më të lira se Antalya
“Destinacionet kryesore janë Korfuzi, Halkidikia, Katerini, Zakinthos dhe Lefkada”, na tregoi një nga punonjësit e agjencisë.
Mesatarisht një paketë 5 ditore mund të kushtojë Greqi edhe 250 euro, paketa që kanë të përfshirë në shumicën e rasteve mëngjesin dhe darkën. Shumica e agjencive turistike shqiptare përfshijnë edhe aktivitete të tjera me çmime shtesë, si festat në anije, apo shëtitje në ishujt pranë destinacionit që ka zgjedhur pushuesi.
“Drejt Greqisë, çmimet më të lira kanë qenë në muajin qershor, por mesatarisht një paketë 7 ditë all inclusive fillon nga 350 euro në hotele me 5 yje”, thonë për “Si” nga agjencia “Global Travel”, por në muajt e tjerë paketa normalisht janë më të larta.
“ATHS” i ka joshur pushuesit me një tjetër paketë ekzotike: udhëtime me kroçere në ishujt e Egjeut. Ky tur duket se po preferohet gjithnjë e më shumë nga shqiptarët. Gazeta Si bisedoi me agjentë të kësaj agjensie, të cilët na thanë se udhëtimet me kroçere janë kthyer këtë vit në një trend të mirëfilltë.
“Ndër paketat më të preferuara është ajo në ishujve grekë. Duke qenë se ofron ndalesa në Mykonos, Milos, Santorini apo Kushadasi në Turqi, të cilat janë destinacione mjaft të elitare, ky tur është preferuar shumë nga pushuesit shqiptarë. Një udhëtim 5 ditor me kroçere kushton 449 euro, ndërsa paketa 8 ditë 699 euro”, thotë agjencia, duke theksuar se të dyja këto paketa janë all inclusive.
Ndërkohë nga “Globus Travel” bëjnë të ditur se përveç Greqisë, rezervime ka patur si çdo vit edhe Antalia.
“Agjensia jonë si pikë referimi edhe këtë verë ka pasur pushimet drejt bregdetit turk, kryesisht Antalian dhe si risi e këtij sezoni dhe fluturimet direkte për në Bodrum nga Prishtina. Por mund të themi se ka pasur interes për pushime në Greqi”, thotë agjencia.
Ndërkohë, edhe mediat e shteti fqinj kanë publikuar shifrat zyrtare duke shprehur jo pak habi që shqiptarët renditën të 10-tët në listën e vizitorëve në Greqi.
Sipas shifrave të publikuara nga Instituti Studimor i Organizatës të Bizneseve Turistike të Greqisë, 1 milion shqiptarë kaluan pushimet vjet në Greqi ku ishin të parët në 3 zona të veriut e veriperëndimit, në Maqedoninë Perëndimore, Epir dhe Greqinë Perëndimore.
Në vitin 2018 në Greqi hynë 1.121.472 vizitorë shqiptarë me një rritje prej 16,2%. Në disa zona të shtetit fqinj rezulton se ua kalojmë edhe turistëve nga vendet e Bashkimit Europian, si Gjermania, Britania e Madhe dhe Italia. Për sa u përket shpenzimeve, rezulton se shqiptarët ua kalojnë edhe turistëve gjermanë dhe italianë duke u renditur në vend të parë me shpenzime maksimale.
Në Greqinë Perëndimore shpenzimet e shqiptarëve arrijnë, sipas studimit të publikuar nga media greke, në 29 milionë euro, të ndjekur nga gjermanët me 26 milionë euro dhe britanikët me 14 milionë euro.
Sa i përket Epirit, aty shqiptarët renditen të dytët me 40 milionë euro shpenzime, duke qëndruar pas gjermanëve që kanë shpenzuar 52 milionë euro, por përpara italianëve me 19 milionë euro.
Por kur bie fjala tek Jugu i Shqipërisë, qytetarë të shumtë ankohen se çmimet janë më të shtrenjta në raport dhe me infrastrukturën turistike dhe shërbimet të cilat janë të dobëta dhe ku argëtimi është i varfër.
Çdo shqiptar që ka shkuar për herë të parë në Greqi është habitur kur ka zgjedhur të pushojë në vendin fqinj. Nuk i ka kërkuar kush të paguajë parkingun e makinës sapo ka qëndruar buzë detit siç edhe ndodh te ne, që të kërkojnë pagesën pa fikur ende makinën. Askush nuk paguan për çadrën dhe shezlonin. Por kur je akomoduar buzë detit të vjen kamarieri ose kamarierja. Nuk te sheh me inat. Por pasi të përshëndet dhe buzëqesh të thotë se çfarë do të pish.
Ndryshimi i madh me Shqipërinë
Ti porosit kafe, frape apo pije freskuese. Uji të vjen falas. Dhe brenda çmimit të asaj që porosit për të pirë buzë detit, ke paguar edhe çadrën dhe dy shezlone. Pra nëse dy frape kushtojnë 6 euro. Dita jote ne plazh ka nisur me këtë kosto në Greqi. Parkim makine, një çadër dhe dy shezlonë, dy frape dhe ujë falas i ke të gjitha 6 euro. Ky është ndryshimi i madh më Shqipërinë. Pasi do paguash në ditën më të mirë 2000 lekë (të vjetra) parking. Të shoqëron stresi pasi të bllokojnë kur ti dëshiron të ikësh. Për një çadër dhe dy shezlone paguan mesatarisht nga 5 mijë, 7 mijë apo edhe deri në 10 mijë lekë të vjetra. Një kafe dhe një shishe ujë shkon deri në 1200 dhe 1000 lekë të vjetra.
Kjo ndoshta është edhe arsyeja se përse për shumë pushues, Greqia duket si një destinacion më i mirë: raport i drejtë mes çmimit dhe shërbimit, por sigurisht dhe aftësisë paguese ku në Turqi cilësia e resorteve është shumë më e lartë, por ama edhe kuleta duhet të jetë më e fryrë./Gazeta Si