Singapori ka numrin më të vogël të viktimave me koronavirus në nivel global, përkatësisht 27 vdekje në mesin e më shumë se 57,000 personave që janë prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton ky virus.
Me shkallë të vdekshmërisë prej 0.05 për qind, ky vend është shumë më poshtë mesatares prej 3 për qind të vdekjeve sipas të dhënave të mbledhura nga Reuters nga shtetet që kanë regjistruar më shumë se 1,000 raste të infektimit.
Në krahasim me shtetet me numër të përafërt të popullsisë, dallimet janë të mëdha – shkalla e vdekshmërisë në Danimarkë është rreth 3 për qind, derisa në Finlandë është rreth 4 për qind.
Përveç kësaj, asnjë person nuk ka vdekur nga COVID-19 në Singapor për më shumë se dy muaj, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi.
Ekspertët shtetërorë për këtë sëmundje ka thënë se faktorët e mëposhtëm qëndrojnë mbrapa këtij fenomeni:
Demografia e infektimit
Rreth 95 për qind e të infektuarve me COVID-19 në Singapor janë punëtorë emigrantë sidomos në të 20-at apo 30-at, që jetojnë në konvikte të ngushta dhe janë të punësuar në sektorë me punë intensive siç është ndërtimtaria.
Ndonëse parametrat e sëmundjes vazhdojnë të studiohen gjatë zhvillimit të pandemisë, trendet aktuale globale tregojnë se ndikimi i virusit ka qenë më i paktë në moshat e reja, shumica e të cilëve kanë treguar pak apo aspak simptoma.
Gjurmimi
Singapori ka arritur të zvogëlojë përhapjen e virusit përmes gjurmimit të hershëm, duke ndjekur metoda agresive dhe testim që është përgëzuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Deri më tani ky vend ka testuar 900,000 persona, më shumë se 15 për qind të popullsisë prej 5.7 milionë banorëve, sipas të dhënave zyrtare – një nga shifrat më të larta për kokë banori në nivel global.
Banorët e konvikteve janë vënë në regjim të testimit të planifikuar, si dhe autoritetet kanë kryer testime masive në mesin e komuniteteve të cenueshme, sikurse shtëpitë e kujdesit si dhe secilit person mbi moshën 13-vjeçare, që ka pasur shenja të infektimit të rrugëve të frymëmarrjes, i është ofruar testim falas.
“Sa më shumë persona që diagnostikojmë, më e vogël është shkalla e mortalitetit”, ka thënë Hsu Li Yang nga Shkolla për Shëndet Publik në Universitetin Kombëtar të Singaporit.
Hospitalizimi
Kjo qasje është zbatuar edhe sa i përket trajtimit. Pacientët e prekur nga COVID-19 mbi moshën 45-vjeçare, apo me sëmundje tjera shoqëruese, janë shoqëruar në spital edhe nëse kanë qenë në gjendje të mirë shëndetësore, kanë thënë mjekët.
Singapori veçse ka qenë qendër e turizmit mjekësor për Azinë Juglindore, me një mori të spitaleve private dhe institucioneve për kujdes shëndetësor të nivelit të lartë.
Ky vend ka krijuar hapësira për shtretër për pacientët me koronavirus edhe në zonat e ndara për ekspozita dhe hapësira tjera të përkohshme, ashtu që të pranojë pacientët me simptoma të lehta.
Kjo gjë ka parandaluar ngufatjen e sistemit shëndetësor, kanë thënë mjekët.
Aktualisht Singapori nuk ka asnjë pacient me COVID-19 në kujdes intensiv, 42 persona janë të shtruar në spitale, dhe rreth 490 gjenden në hapësira të përkohshme për kujdes shëndetësor.
Maskat e detyrueshme
Ky qytet-shtet e ka bërë të detyrueshme vendosjen e maskave nga muaji prill. Ndonëse ekspertët kanë thënë se më shumë studime duhet bërë, ekzistojnë të dhëna në rritje që tregojnë se maskat ndihmojnë në uljen e rrezikut nga virusi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar përdorimin e maskave në kombinim me masa tjera të distancimit fizik.
“Ne kemi pranuar një kulturë të mirë të maskave në Singapor. Kjo e bën sëmundjen më të lehtë”, ka thënë Leong Hoe Nam, ekspert për sëmundje infektive në Spitalin e këtij shteti, Mount Elizabeth.
Klasifikimi
Singapori respekton në mënyrë strikte definicionin e OBSH-së për klasifikim të vdekjeve nga COVID-19. Ky vend nuk përfshin në listën e viktimave me koronavirus, personat e prekur nga ky virus, të cilët kanë vdekur nga komplikimet tjera siç janë problemet me zemër .
“Nuk kam dyshim se nëse OBSH-ja rishikon definicionin për rastet, disa vdekje që nuk kanë qenë të lidhura me pneumoni do të riklasifikohen dhe shkalla e mortalitetit do të ndryshojë”, ka thënë Paul Tambyah, president i Shoqërisë Azi-Paqësore të Klinikës për Mikrobiologji dhe Infektime, pa dhënë detaje sesa i madh do të ishte ndryshimi.
Ministria e Shëndetësisë ka thënë se qasja e saj është në përputhje me praktikat ndërkombëtare, ndonëse disa shtete sikurse Britania kanë bërë ndryshime.
Dale Fisher, këshilltar i lartë në Spitalin Universitar të Singaporit ka thënë se secili ndryshim nga riklasifikimet në Singapor do të ishte margjinal./REL