Intervista për gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin Përballë
Ambasadorja suedeze në Tiranë tregon se pse vendi i saj mori këtë vendim
Lutfi Dervishi: Pse Suedia zgjodhi një rrugë krejt të veçantë nga vendet e tjera europiane në betejën me Covid-19?
Ambasadorja e Suedisë në Tiranë, Elsa Hastad: Mendoj se përgjigja me e rëndësishme dhe në fakt e para është se Suedia ishte në kërkim të një strategjie të qëndrueshme që do t’i rezistonte kohës dhe sigurisht donim të kishim diçka që të mos shkaktonte dëm të madh për ekonominë dhe jetën e njerëzve.
Lutfi Dervishi: Po, por fqinjët tuaj, vendet e tjera nordike zgjodhën të ndërmerrnin masa më të ashpra se ju?
Ambasadorja Elsa Hastad: Kjo është e vërtetë dhe Suedia është aktualisht i vetmi vend që vendosi të zgjedhë si të themi “mënyrën e hapur” të jetesës dhe të zgjedhë një drejtim tjetër dhe kjo ishte e guximshme do të thoja. Vendet e tjera nordike vendosën të ndjekin një qasje hap pas hapi, por Suedia vendosi të mos ndjekë këtë qasje, por gjithashtu mendoj se ka të bëj niveli i lartë i besimit që ekziston tek ne në shoqëri dhe po ashtu është besim i lartë që ekziston edhe tek institucionet. Suedia nuk dëshironte të prezantonte masa të ashpra ndëshkuese për t’i ndaluar qytetarët të dalin nga shtëpitë dhe një aspekt tjetër i rëndësishëm është fakti se ne nuk kishim prova se ky model i ashpër do të ishte më efektiv dhe mendoj se ky ishte aspekti më i rëndësishëm.
Lutfi Dervishi: Të gjitha qeveritë në gjithë kontinentin bazohen mbi këshillën e ekspertëve dhe shkencëtarëve- në këtë aspekt a mos janë shkencëtarët dhe ekspertët suedezë pak më të veçantë se të tjerët?
Ambasadorja Elsa Hastad: Jo, nuk mendoj se janë të veçantë, ata po monitorojnë se çfarë po ndodh çdo ditë në gjithë botën, por mendoj se më shumë ka të bëj fakti se qeveria dhe njerëzit kanë besim në pavarësinë e institucioneve dhe mbështeten tek to. Kur ekspertët tanë thanë: nuk kemi prova se po të vijojmë me metoda të ashpra do të jemi më mirë- atëherë ne vendosëm që të mos ndjekim rrugën e ashpër.
Lutfi Dervishi: OBSH, Organizata Botërore e Shëndetësisë po lëvdohet dhe kritikohet në gjithë botën për këshillat dhe politikat që po ndjek në këtë krizë. Sa e dëgjon qeveria suedeze OBSH-në?
Ambasadorja Elsa Hastad: Po, sigurisht ne po dëgjojmë çdo këshillë dhe ekspertizë, por ne jemi bazuar mbi metodën tonë dhe besoj se metoda jonë, si çdo metodë bazohet shumë në shifrat dhe të dhënat dhe po ashtu mbi “kontrollin e dëmit” ne kemi dashur të zbusim ndikimin negativ- për shembull nëse ne do të kishim mbyllur shkollat, ju e dini se shkollat i kemi mbajtur hapur, çerdhet dhe kopshtet janë hapur, bizneset janë hapur, baret dhe restorantet janë hapur. Po dëgjoja me vëmendje se çfarë po thoshte një doktor: Çdo mëngjes unë lutem që ne nuk do të mbyllim çerdhet, kopshtet dhe shkollat sepse atëherë mjekët dhe personeli shëndetësore (që kanë fëmijë të vegjël) nuk do të mund të vinin në punë. Kemi nevojë për njerëz që të kujdesen për fëmijët, sepse përndryshe shoqëria jonë do të ndalonte së funksionuari, dhe kjo gjë do të ndikonte edhe te spitalet në mënyrë negative.
Lutfi Dervishi: Po kjo situatë është e njëjtë në çdo vend europian, por Suedia ka qenë e vetmja që zgjodhi një rrugë tjetër. Pyetja ime është: A synonte kjo strategji të arrinte atë që quhet “imuniteti tufës?
Ambasadorja Elsa Hastad: Jo, nuk ishte qëllim “imuniteti tufës”. Nuk ishte kjo strategjia, por eventualisht ne do të mbërrijmë te “imuniteti tufës”, por po e theksoj se ky nuk ishte qëllimi. Qëllimi është që të shpëtojmë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur.
Lutfi Dervishi: Zonja ambasadore, pak më sipër ju përmendët fjalën “besim”. Duke folur për këshillën kryesore që dëgjojmë nga mëngjesi në mbrëmje: “distancim social” dhe po i referohem një anketë të zhvilluar ditët e fundit në Suedi që tregon se 9 në 10 persona mbajnë të paktën një metër distancë nga njëri-tjetri. A është kjo sjellje sociale kyçi i suksesit dhe modeli që mund të eksportojë në këto kohë Suedia?
Ambasadorja Elsa Hastad: Mendoj se ka një kombinim gjërash që janë vendimtare për suksesin. Ne jetojmë secili në shtëpinë tonë. Në Suedi ne kemi një shtëpi për të rritur dhe kjo është një nga përgjigjet për atë që konsiderohet sukses. Sa i përket “distancës sociale” ka një anekdotë që po qarkullon në Suedi këto ditë: “Uauu, po ky nuk është lajm për suedezët, ne distancë mbajmë gjithë kohën”. Por nëse ne shohim kryeqytetin Stokholmin, që është edhe qyteti im dhe tashmë ka ardhur pranvera, kafetë dhe baret janë hapur ne shohim njerëz që po qëndrojnë ndoshta më afër me njëri-tjetrin se ç’duhet dhe e dini që u desh të mbyllen 5 restorante sepse njerëzit po qëndronin shumë pranë njëri-tjetrit.
Lutfi Dervishi: Ju përmendët pranverën, tani që netët e gjata dhe të errëta të dimrit kanë ikur, a është më e vështirë për të respektuar masat shtrënguese, sepse sidoqoftë disa masa janë marrë apo jo?
Ambasadorja Elsa Hastad: E vërtetë kemi disa rregulla, restorantet mund të qëndrojnë hapur, por janë të detyruara të respektojnë një distancë mes tavolinave dhe nëse nuk respektojnë këtë rregull atëherë ato mbyllen. Dhe sigurisht suedezët vdesin për pak diell dhe pranverë dhe siç e thatë pas një dimri të gjatë dhe të errët, po është një tundim sidomos në qytete të mëdha për të qëndruar pranë njëri-tjetrit, por duhet respektuar distanca sociale dhe në anën tjetër njerëzit mund të dalin lirshëm, të shëtisin dhe kjo është një gjë e mirë që njerëzit mund të shëtisin kurdo të duan.
Lutfi Dervishi: Zonja ambasadore a mund të flasim pak për pasojat, tek jeta e njerëzve dhe bizneseve pavarësisht masave më të lehta që ka ndërmarrë Suedia? Po kontrolloja shifrat e fundit dhe kanë humbur deri më tani 90 mijë vende pune…
Ambasadorja Elsa Hastad: Po, ekonomia po vuan, por po shikoja disa të dhëna të fundit të muajit mars dhe dëshiroj t’i ndaj me ju: 42 mijë njerëz kanë humbur vendet e punës për shkak të Covid-19. Suedia është një vend i vogël eksportues. Ne parashikonim humbje të mëdha, por nëse i referohemi të dhënave të muajit mars, çdokush është pak i habitur, sepse prodhimi është rritur, konsumi i mallrave të përditshëm është rritur me 9% dhe gjithashtu eksporti është rritur, por unë nuk kam të dhënat e muajit prill. Por mund të themi se ne nuk jemi goditur aq shumë sa vetë e kishim parashikuar. Disa sektorë janë goditur më shumë, si për shembul turizmi, hotelet, industria e argëtimit, por disa biznese nuk janë goditur aq keq sa vetë e menduam, dyqanet janë hapur dhe fabrikat po prodhojnë.
Lutfi Dervishi: A ka një ndjesi këto ditë në Suedi, duke ju referuar edhe shifrave që sapo përmendët, se më e keqja e krizës ka kaluar?
Ambasadorja Elsa Hastad: Jo pak më parë po dëgjoja Ministrinë tonë të Jashtme dhe Zv/ministrin e Ekonomisë dhe për momentin ne parashikojmë një rënie ekonomike prej 4%, por kjo shifër mund të shkojë deri në 10%, por nëse për shembull e krahasojmë me Shtetet e Bashkuara ata presin një rënie prej 30%, kështu që në rastin tonë kemi një rënie më të lehtë. Por për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj: ende nuk e dimë. Mendoj se të dhënat për muajin prill do t’i kemi pak më “të këqija”. Nuk besoj se do të kemi të dhëna po aq të mira sa kishim për muajin mars sepse marsi për ne dha shifra të mira që nuk i prisnim. Ende nuk kemi “rënie të ekonomisë”, por po planifikojmë “rënien”
Lutfi Dervishi: A ka në këto kohë në Suedi një ndjenjë krenarie kombëtare që jeni kaq ndryshe nga gjithë europianët e tjerë?
Ambasadorja Elsa Hastad: Në fakt, Lutfi është e dyfishtë: disa janë shumë krenarë sepse po tregohemi të guximshëm, po bazojmë çdo gjë në evidenca, te ekspertët, por ka njerëz që janë shumë kritikë që po thonë: kjo është çmenduri, ne duhet të bëjmë atë që bëjnë vendet e tjera, duhet të izolojmë njerëzit dhe të bëhemi gati. Në fakt përgjigja e ndershme është: askush nuk e di. Do të shohim. Na duhet të presim dhe të shohim.
Lutfi Dervishi: Zonja ambasadore, tani në Stokholm, baret dhe restorantet janë të hapura dhe njerëzit po gëzojnë kohën e bukur të pranverës. A ju vjen ndopak keq se je izoluar në Tiranë dhe nuk mund të lëvizësh nga shtëpia?
Ambasadorja Elsa Hastad: Më ka marrë malli për baret, restorantet dhe udhëtimet në Shqipëri, më duhet ta pranoj këtë, por është bukur prapë se ju keni male të bukur dhe mund t’i shijosh edhe duke i parë. Por jam shumë mirë, po vijoj punën dhe kjo është më e rëndësishme.
Lutfi Dervishi: Çfarë mund të mësojë Shqipëria nga Suedia në përballjen me Covid-19?
Ambasadorja Elsa Hastad: Mendoj se Shqipëria mund të mësojë, mendoj se ndoshta nuk do të ishte ide e keqe që njerëzit të ishin pak më të lirë dhe për të mbajtur hapur ekonominë, sepse do të jetë e vështirë hapja nëse mbyll gjithë ekonominë. Dhe Shqipëria sigurisht nuk e ka luksin të ketë një rënie të madhe të ekonomisë. Mendoj se ndoshta, jo vetëm Shqipëria, por edhe vendet e tjera mund të mësojnë dhe në anën tjetër çdo vend duhet të vendosë për vetveten, çfarë rruge duhet të ndjekë.
Lutfi Dervishi: Po, shumë vende po ju ndjekin me zili, por nuk kanë guximin të ndjekin modelin tuaj…
Ambasadorja Elsa Hastad: Po, por nëse sheh rastet, ne jemi diku në mes, disa vende të tjera nordike po ja dalin më mirë se ne, si Norvegjia ashtu edhe Danimarka. Norvegjia ka përshembull 1.3 raste për një milionë banorë- 1300 raste, Suedia e ka këtë koeficient 1. 8%. Por kemi rezultate më të mira se Gjermania, Franca dhe qartësisht më mirë se Italia dhe Spanja. Shifrat tregojnë se nuk po ja dalim keq. Ne shpresojmë që strategjia jonë të jetë e mirë- dhe kjo është ajo që shpresojmë.
Lutfi Dervishi: Kur mendoni se do të jetë koha që të thoni: po, ne morëm vendimin e duhur?
Ambasadorja Elsa Hastad: Mendoj se duhet të presim të paktën një vit, ose një vit e gjysëm sepse kjo ka lidhje me ekonominë, papunësinë, eksportin/importin dhe të shohim sa do të jetë e prekur ekonomia krahasuar me vendet e tjera. Për këtë duhet të presim minimumi një vit.
Lutfi Dervishi: Së fundmi një reflektim personal zonja ambasadore. Puna nga shtëpia, do të thotë më shumë kohë për familjen, për miqtë? A ishte kjo kohë e nevojshme për një reflektim personal në lidhje me veten, familjen dhe shoqërinë?
Ambasadorja Elsa Hastad: Është një pyetje shumë e mirë. Mendoj se të gjithë ne po reflektojmë shumë rreth botës që na rrethon. Ndoshta po vraponim pak më shumë se ç’duhet, para se të vinte “korona”, dhe ndoshta është gjë e mirë të ndalim pak, madje gjë e mirë që nuk je në gjendje të marrësh avionin e parë dhe të fluturosh dhe… unë isha në mes të një agjende tejet të ngjeshur dhe mendoj shumë prej nesh kanë qenë me bileta në duar, rezervime, takime dhe befas ju kuptoni se jeni ndalur dhe nuk është qameti. Më ka marrë malli për fëmijët. Pritej që ato të vinin në Tiranë, por do të vijnë vitin tjetër. Por në anën tjetër jam digjitalizuar më shumë se kurrë. Kurrë nuk kam qenë më shumë digjitale seç jam këto ditë. Ne zhvillojmë çdo ditë takime me stafin e ambasadës, kemi dy takime në ditë dhe besoj se do të ndryshojmë sjelljen pasi kjo të kalojë. Mendoj se do të përdorim më shumë mjetet digjitale dhe ndoshta kjo do ta ruajë më shumë ambientin. Dhe kjo do të jetë fantastike dhe kjo është dhe dëshira ime më e madhe. Pas “koronës” të ruajmë mjedisin. Pas “koronës” askush nuk mund të thotë: kjo është e pamundur të bëhet sepse ne tashmë e kemi treguar se mund të “mbyllim” gjithë Europën. Pas kësaj çdo gjë është e mundur.