Misioni indian, “Chandrayaan-3”, po zbulon të dhëna të reja rreth anës enigmatike të Hënës. Misionet e ardhshme në këtë zonë janë planifikuar edhe nga SHBA-ja, Kina dhe Rusia. Por çfarë e bën këtë pjesë enigmatike të njohur si Poli Jugor i Hënës, kaq magjepsëse?
Bëhet fjalë për një pjesë të Hënës ku asnjë objekt i krijuar nga njeriu nuk është përplasur më parë. Megjithatë, javën e kaluar, një anije kozmike indiane filloi të eksploronte rajonin rreth Polit Jugor të Hënës. Anija pa ekuipazh është e para që bëri një ulje në këtë peizazh polar hënor. Misionet “Apollo” të viteve 1960 dhe ’70 fillimisht u ulën pranë ekuatorit të Hënës, ndryshe nga misioni i Indisë “Chandrayaan-3” që arriti me sukses rreth 600 km nga Poli Jugor hënor. Para misionit indian, pati një përpjekjeje të dështuar ruse nga anija kozmike “Luna-25”, e cila doli jashtë kontrollit dhe u rrëzua.
“Chandrayaan-3” po dërgon disa informacione interesante lidhur me mjedisin në të cilin gjendet. Duke udhëtuar me rreth 1 cm çdo sekondë nëpër sipërfaqen e pluhurosur, anija ka zbuluar një rënie drastike të temperaturës nën sipërfaqe. Në sipërfaqe mati një temperaturë prej rreth 50 C, por vetëm 80 mm nën të, ajo ra në -10C, një ndryshim ky që ka befasuar shkencëtarët. Pajisjet e analizave kimike në bord kanë treguar praninë e squfurit, aluminit, kalciumit, hekurit, titanit, manganit, kromit dhe oksigjenit në tokën hënore. Të dyja këto gjetje lënë të kuptohet pse shkencëtarët janë të etur për të eksploruar rajonin polar jugor të Hënës.
Disa kratere në polet e saj nuk e shohin kurrë dritën e diellit. Së bashku me temperaturat e ulëta në këto vende, shkencëtarët besojnë se kjo ka shkaktuar formimin e një sasie të madhe akulli. Ka shpresa se akulli mund të përdoret si një burim studimesh për astronautët dhe si një trampolinë për zbulimet e ardhshme shkencore. Në të ashtuquajtura “krateret e errësirës së përjetshme”, që janë rajonet me hije të përhershme, rrezet e Diellit nuk arrijnë kurrë, pra kjo do të thotë se ata kanë ruajtur akull për miliarda vjet.
Poli i Jugut ka më shumë kratere se Poli i Veriut, që me gjasë janë një rezultat i meteoritëve që kanë goditur sipërfaqen, duke e bërë atë një objektiv më tërheqës për shkencëtarët. Një anije e NASA-s ka vendosur të shkojë në Polin Jugor të Hënës në fund të vitit 2024, për të hyrë në disa prej këtyre kratereve e për të zbuluar më shumë sekrete.
Akulli është veçanërisht faktori që po nxit këtë interes të jashtëzakonshëm. Nëse ekziston në sasi të mëdha dhe është i arritshëm, mund të jetë një burim i vlefshëm si për vendbanimet njerëzore në Hënë, ashtu edhe për eksplorimin më larg në sistemin diellor. Nëse akulli mund të hiqet nga toka hënore, ai mund të ndahet në hidrogjen dhe oksigjen, një komponent kyç i karburantit të raketës ose një burim i mundshëm i ujit të pijshëm dhe oksigjenit për vendbanimet njerëzore.
Këto ëndrra për udhëtime në hapësirë dhe të jetuarit në Hënë janë më afër se sa mund të mendohet. Në vitin 2025, NASA planifikon të zbarkojë njerëzit në sipërfaqen e Hënës për herë të parë në gjysmëshekulli, si pjesë e misionit të saj Artemis III.
Misioni i suksesshëm indian, “Chandrayaan-3”, mund të jetë vetëm fillimi për t’iu përgjigjur shumë pyetjeve, por edhe për të mësuar më shumë për historinë e sistemit diellor. Nga shkencëtarët, arritja indiane po konsiderohet momentalisht një hap i madh për njerëzimin.