Bankierët në Zvicër thonë se klientët e tyre kanë kërkuar tërheqjen e shumave të mëdha të parave në mënyrë që ata t’i ruajnë vetë, pavarësisht reputacionit të vendit si i sigurt dhe i besueshëm për investitorët e pasur. Një pjesë e këtyre parave, tani është duke qëndruar në mjedise të ruajtura dhe kasaforta private, jashtë bankave.
Këto veprime të pazakonshme vijnë si rezultat i pesë viteve të normave negative të interesit. Politika, që ka si qëllim uljen e rivlerësimit të lartë të bankave zviceriane të nivelit të dytë, u kërkon këtyre të fundit të paguajnë kur depozitojnë para (në formë rezerve) në Bankën Qendrore të Zvicrës. Në disa raste, bankat ua kanë kaluar kostot shtesë klientëve të tyre më të pasur.
Këto politika nuk janë aspak të mirëpritura për klientët që dëshirojnë të fitojnë interesa në depozitat e tyre dhe jo të paguajnë komisione.
“Është paraja jote”
Norman Villamin, shef investimesh për bankën private të Zvicrës UBP, ka thënë se një numër i kufizuar klientësh të tij i kanë tërhequr paratë e tyre. Kërkesa të ngjashme kanë marrë dhe bankierë të bankës Rahn + Bodmer Co.
Normat e interesave negative, të nisura në Zvicër në 2015-n, e kanë bërë më të vështirë për bankat e vendit të gjenerojnë fitime falë kredive dhe depozitave që ofrojnë. Gjithashtu pagesat mbi rezervat shtesë që bankat vendosin në Bankën Qendrore (Swiss National Bank) kanë dhënë efektin e tyre negative.
Credit Suisse (CS) ka deklaruar vitin e kaluar se do të aplikojë normë interesi negative prej 0.75% në balanca cash me mbi 2 milionë franga zviceriane. Kjo do të thotë se nëse një individ apo biznes depoziton 3 milionë franga zviceriane (rreth 3.1 milionë $) në këtë bankë për një vit, depozituesi tarifohet me 7500 franga zviceriane (7750 $). Po kështu ka vepruar dhe banka UBS me depozita cash me mbi 2 milionë franga (rreth 2 milionë $)
Ndërkohë të dyja bankat refuzuan të komentojnë nëse klientë shumë të pasur u kanë kërkuar tërheqjen e shumave të tyre.
Jo e lehtë për t’u arritur
Edhe nëse klientët dëshirojnë t’i tërheqin shumat e mëdha të parave të tyre, kjo procedurë nuk është e thjeshtë. Klientët fillimisht duhet të vijnë me një plan ruajtjeje dhe sigurimi për paratë e tyre.
Ludwig Carl, një zëdhënës i “Swiss Gold Safe” (firmë që jep kasaforta me qera në Zvicër dhe Lihtenshtejn), ka thënë se kompania ka parë rritje kërkese në ruajtjen e parasë (në formë cash) që prej 2015-s.
Martin Biderman (bankier në bankën Rahn+Bodmer Co.) thotë se sapo një klient vendos të tërheqë shumë të madhe parash bëhet e vështirë për ta depozituar më vonë. Kjo, pasi çdo bankë do ketë pyetje mbi origjinën e kësaj shumeje.
Presidenti Thomas Jordan i Swiss National Bank thotë se s’ka pasur ndonjë rritje të theksuar në kërkesën për para (cash) që prej 2015-s. Por të dhënat tregojnë se numri i kartëmonedhave në qarkullim është rritur në mënyrë të vazhdueshme që prej krizës financiare të 2008-s. Një zëdhënës i Bankës Qendrore argumenton se normat e interesit të ulëta së bashku me reputacionin e frangës zviceriane si strehëz e sigurtë, kanë luajtur rol në mungesën e një kulmimi të kërkesës së parasë.
Në botën e tronditur të normave të interesit negative, paraja nuk është aktivi i vetëm mbi të cilin mund të marrësh fitime. Ashok Sewnarain, CEO i IBV Vaults (kasafortave IBV), tregon se ruajtja e arit ka qenë shumë fitimprurëse për biznesin e tij. Shumë klientë të tij kanë zgjedhur të alokojnë paratë e tyre në aksione që paguajnë dividendë, siç është gjiganti i shërbimeve mjekësore Roche (RHHBF).
Banka Qendrore Europiane, e cila që prej 2014-s ka aplikuar norma interesi negative për 19 vendet që përdorin euron, ka marrë kritika, ndërsa ka kërkuar të hetohen rrjedhojat e politikave monetare të dëmshme.
Presidentja Christine Lagarde ka anonçuar fillimin e rishikimit të strategjisë që Banka Qendore Europiane ka ndjekur gjatë këtyre viteve. Nuk duhet harruar se Znj. Christine Lagarde përpara se të merrte drejtimin e BQE-së, ka deklaruar se qytetarët europianë do të ishin më keq nëse normat e interesit negative nuk do të ishin aplikuar. Gjithsesi, ka shtuar ajo, ne do t’i monitorojmë efektet e pafavorshme të kësaj politike.