Bota Pse Trump dhe Kim do të takohen në Vietnam

Pse Trump dhe Kim do të takohen në Vietnam

Takimi i dytë mes presidentit të SHBA-së Trump dhe kreut të shtetit në Korenë e Veriut Kim do të zhvillohet në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi. Planet dallojnë shumë prej atyre të takimit të parë.

Nëse në fund të takimit do të ketë një rezultat historik, kjo nuk mund të thuhet – sidoqoftë Donald Trump dhe Kim Jong Un kanë rënë dakord për vendin e takimit pasues të tyre: Takimi mes presidentit të SHBA-së dhe kreut të shtetit të Koresë së Veriut do të zhvillohet në kryeqytetin vietnaez Hanoi. Këtë e komunikoi Trump përmes rrjetit Twitter: “Gëzohem që do ta shoh kryetarin Kim dhe që do ta avancojmë çështjen e paqes!”

Takimi më 27 dhe 28 shkurt ishte komunikuar më parë, por deri më tani Shtëpia e Bardhë nuk e kishte bërë publik vendin e takimit. Edhe metropoli bregdetar Da Nang deri në fund ka qenë në diskutim si vendtakim i mundshëm.

Trump është i pari president i SHBA-së që është takuar me kreun e shtetit të izoluar stalinist, që prodhon armë bërthamore. Kritikët theksojnë, se takimi i parë në Singapur nuk pati rezultatet konkrete. Në samitin historik Kim theksoi gatishmërinë e tij për “denuklearizim të plotë”. Megjithatë nuk ka asnjë premtim konkret, se deri kur Koreja komuniste e Veriut e izoluar ndërkombëtarisht do të çarmatoset dhe se cilat mund të jenë lëshimet nga ana e SHBA-së. Gjatë bisedimeve së fundi nuk janë bërë të ditura përparime.

Këtë javë i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Korenë e Veriut, Stephen Biegun, u takua në Penjan me negoaciatorin koreano-verior Kim Hyok Chol, për të përgatitur samitin. Trump shkruan në Twitter, së bisedimet kanë qenë të frytshme.

Rëndësia e Vietnamit

Shpallja e datës dhe vendit të takimit nga presidenti Trump nuk ishin surprizë. Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo kishte konfirmuar më parë se Presidenti Trump do të takonte presidentin Kim në fund të shkurtit në Azi.

Megjithatë, analistët i thanë Zërit të Amerikës se kohëzgjatja e takimit të ardhshëm dhe vendndodhja e tij kanë një kuptim të veçantë.

Profesori i Studimeve Koreane në Universitetin Tufts, Sung-yoon Lee, thotë se ndërsa Saigoni po binte në vitin 1975, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Il Sung “vizitoi Pekinin dhe i kërkoi Mao Ce Dunit dhe zyrtarëve të tjerë ta ndihmonin atë të bënte të njëjtën gjë që po bënte Hanoi… pasi Shtetet e Bashkuara u detyruan të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje dhe të largoheshin”.

Ai tha, “Vietnami është modeli i përsosur për regjimin Kim.”

Profesori Lee thotë se presidenti Trump në thelb është duke thënë, “Shikoni Vietnamin. Ne (Shtetet e Bashkuara) kishim një marrëdhënie shumë të keqe me Vietnamin në të kaluarën, por tani i kemi rregulluar gjërat”, duke shtuar “Vietnami ka mbetur diktaturë komuniste vetëm një partiake, por është rritur dhe pasuruar ekonomikisht. Ju gjithashtu mund të bëni të njëjtën gjë”.

Harry Kazianis në Qendrën për Studimet e Interesit Kombëtar të Koresë, thotë se kohëzgjatja e samitit të ardhshëm është për t’u pasur në vëmendje dhe mund të tregojë “diçka të madhe”.

 

“Unë mendoj se po punohet për një deklaratë paqeje,” tha zoti Kazianis. “Mendoj gjithashtu se koreano-veriorët kanë qenë shumë seriozë dhe u kanë dërguar sinjale Shteteve të Bashkuara, Seulit, dhe kudo tjetër ku dëgjohen, se duan njëfarë lehtësimi të sanksioneve”.

Si dëshmi për të mbështetur teorinë e tij, Kazianis vë në dukje komentet e bëra javën e kaluar nga përfaqësuesi i posaçëm amerikan për Korenë e Veriut, Stephen Biegun.

“Është gjithnjë e më urgjente që të angazhohemi në mënyrë diplomatike me Korenë e Veriut për të parë nëse mund ta ndryshojmë trajektoren e politikave të tyre, duke ndryshuar trajektoren tonë. Këtë po përpiqemi të bëjmë”, tha zoti Biegun në një fjalim në Universitetin e Stanfordit.