Urbanisti dhe pedagogu Gentian Kaprata ka analizuar situatën me ndërtimet në kryeqytet, duke vënë theksin te frenimi i rritjes së shitjeve të apartamenteve.
I ftuar në emisionin “Open” në News24, Kaprata u shpreh se trendi i viteve të fundit është vala e parave nga krimi, të cilat “duhet të pastrohen”.
Për këtë, sipas tij personat me këto para i pastrojnë në të vetmen mënyrë që dinë, të ndërtojnë pallate dhe kulla.
Sipas tij ky “frenim” nuk do të jetë ndalimi, por mund të ketë ardhur si pasojë e një institucioni ndërkombëtar që ka drejtuar vështrimin drejt situatës që ka tejkaluar kushtet e një tregu normal.
“Trendi i viteve të fundit është vala e parave nga krimi, ku përfshihen si krimi në sektorin privat, por edhe atë publik. Të dyja kanë shumë para për të pastruar. Ata i pastrojnë në mënyrën e vetme që dinë, ndërtojnë pallate dhe kulla. Nuk ka mbaruar, mund të jetë një sy evropian ose një institucion që ndjek situatën.
Nuk mund të themi se tregu është i pastër. Ka elementë të tregut gjithsesi. Mekanizmi që është sot është jashtë tregut. Janë spekulime të mirëfillta, nuk ka asgjë të re. Shpresojmë që të jetë fundi i valës së ndërtimeve. Çfarë kanë vendosur ata, do vijojnë të pastrojnë para. Ky frenim vjen si pasojë e mungesës së parave të pista. Sipas mendimit tim një institucion ka ngritur vështrimin, jo SPAK, është shumë i vogël për këtë. Ka shumë institucione ndërkombëtare që merren me këto çështje”, tha ai.
Eksperti imobilar: Ka rënë kërkesa për blerje apartamentesh, por edhe për qiratë
Eksperti imobilar Gjin Gjoka deklaroi se ka rënë kërkesa për blerje apartamentesh.
I ftuar në studion e emisionit “Open” në News24, Gjoka tha se rënia e kërkesës ka nisur në 6-mujorin e dytë të vitit 2023.
“Ka pak kërkesa për blerje. Sa më i lartë është çmimi, më pak kërkesë ka. Rënia ka nisur në 6-mujorin e dytë të 2023. Kërkesa ka qenë në rënie krahasuar me vitin 2022 dhe 2021. Edhe qiradhëniet kanë nisur të bien.
Ka shumë apartamente të listuara dhe janë me çmim të papërballueshëm sidomos për intelektualët. Ne sot në bregdet presim rritje sërish”, deklaroi Gjoka.