Opinione “Pse u ktheve në Shqipëri dhe pse nuk kthehesh në SHBA”

“Pse u ktheve në Shqipëri dhe pse nuk kthehesh në SHBA”

Nga Blendi Salaj

Më pyesin shpesh “‘pse u ktheve në Shqipëri?” por edhe “pse nuk kthehesh në Shtetet e Bashkuara”, meqë ai vend i mrekullueshëm, m’u bë atdhe i dytë. I dua të dy fort, sepse jam 100% shqipo, por edhe 100% Yankee, sepse Amerika ashtu funksionon e unë jam ndjerë atje në shtëpi për 12 vjet. Ende e shoh si shtëpi madje. Si vendin tim. Zgjedhjet e mia janë vetëm personale, jo patriotike apo politike. Jam kthyer me optimizmin që kam në natyrë dhe nuk kam asnjë pishman. Jam kthyer se doja ta jetoja Shqipërinë më mirë se ç’e lashë më 1997­ën. Sepse Shqipëria mund të jetë (ishte?) një vend i mrekullueshëm. Për të qënë pranë prindërve.

Jam kthyer se dua të ushtroj profesionin për të ndikuar sadopak pozitivisht në vendin tim. Pa përkrahje, po bëj diçka të vogël. Jam kthyer edhe sepse më kishte djeg malli për Tironën teme. Shoh me trishtim të madh kur njerëzit braktisin Shqipërinë, kolegë të mirë, njerëz me botë që ikin botës. Shoh me trishtim kur servilët katapultohen në krye të punëve të shtetit. Nuk i them kurrkujt rri, apo ik, kjo më duket e pavend.

Këtë muaj bëhen 9 vjet që jam kthyer nga Amerika. Optimizmi më mbetet, mbase sepse ime më quhet Shpresa e unë jam shpresëmirë për vendin tonë, për popullin tonë. Por a jam i kënaqur? Jo. Jam i zhgënjyer, po të thoja ndryshe do ju gënjeja. Jam zemërthyer sepse kam besuar se mund të bënim më mirë, mund të vraponim si Komb, të modernizoheshim, demokratizoheshim, por po hiqemi zvarrë, breshkash e gënjeshtrash. Tek politikanët shqiptarë shoh kaq shumë falsitet, manipulim, kontroll dhe frikë. Shoh babëzi, injorancë, makinacione dhe pandershmëri.

Marrëdhënia e pushtetit me qytetarët është e pasinqertë, manipulative ­ hi syve, arrogancë, fodullëk dhe marketing. Foto, video, facebook live, por sa pak përkushtim real, përulësi dhe sinqeritet. Promovimi i fëlliqësirave më fyhen e më shpon. Por në një vend pa traditë lirie, sundimi vjen natyrshëm. Turmat brohorasin për kocka. Kjo më dhemb shumë, sepse, siç thashë në fillim Shqipëria mund të jetë një vend fantastik për të jetuar, por duket sikur ata duan vetëm ta shfrytëzojnë, për të bërë euro, pilaf e kofsha pule. Them kështu sepse e përçmoj makutërinë pa fre, ngrefosjen si gjela majë plehut në vendin që mban ende sot rekordin si vendi më i varfër i kontinentit. Përse krenohen?! Nuk arrij ta shoh. A do iki unë? Jo! Unë mund të iki nesër, bashkë me familjen, me avionin e orës 5:00. Por nuk e kam ndërmend, sepse më pëlqen një betejë edhe pse ne qytetarët nuk kemi armët e tyre, paratë, mediat, militantët. Nëse do ikja do t’a konsideroja humbje të madhe personale dhe do më trishtonte pafundësisht.

Po ik për familjen, më thonë ca, Ik për djalin. Por unë për djalin po rri! Dua të qëndroj, të bëj pjesën time të vogël, natyrisht. Dua të flas shqip në radio dhe në rrugë. Shpresa vdes e fundit thonë, unë them nuk vdes kurrë. Por në u bëftë Shqipëria, do bëhet nga njerëzit e thjeshtë, ata që i shtrohen punës çdo ditë. Nga sipërmarrësit, inxhinierët, të rinjtë e mrekullueshëm. I keni parë si u ndrinë sytë? Po kërkojnë rrugën dhe dinjitetin. Duhet të luftojmë bashkë me ta që t’i kenë. Në u bëftë Shqipja, do e bëni ju, ne. Nga tangërlliksat me pushtet politik e ata bosat pas tyre që u bënë me të vjedhur nuk pres asgjë.