Pasi kryenin “porositë” Nuredin Dumani dhe Talo Çela çanin duart dhe pinin gjakun e njëri-tjetrit. Por nuk zgjati shumë dhe më pas ata u bënë armiq të betuart të njëri tjetrit. Përpara hetuesve të SPAK, Nuredin Dumani ka thënë se krisja e parë u bë në vitin 2019, pasi Dumani ishte liruar nga burgu.
Sipas Dumanit, Çela nuk i kishte dhënë një makinë si dhe nuk i kishte dhënë lekët që i kishte premtuar. Dhe disa ditë më vonë, në shtëpinë e Dumanit kishin ‘zbarkuar’ forcat e rendit për kontroll.
“Në vitin 2019, pasi kam dalë nga burgu, më ndodhi një konflikt me Talo Çelën. Pas vrasjes së Andi Zylyfit e ndjeva veten të përdorur për arsye se Benzi që u përdor në ngjarjen e vrasjes mua ma kishin falur dhe unë po e mbaja që ta shfrytëzoja për ndonjë ngjarje tjetër, grabitje ose vrasje.
Këta ma kërkuan duke më thënë që i duhej shpejt pasi do kryenin vrasjen e Andi Zylyfit. Makina ishte Mercedez Benz E ose C Clas, ngjyrë gri, të cilën e kam pasur tek garazhi i Gim Gjinit.
Kjo makinë ka ndryshuar ngjyrë tre herë nga e bardhë, e zezë dhe gri, tek servisi Dorjan Shkozës, në zonën e Nishtullës. Unë vetë i kërkova Talos të merrja pjesë pasi kisha mbetur pa lekë, por ai më tha “nuk të fus dot se është në pjesë Mir Haxhia dhe Altin Ndoci, ata kanë marrë kaparin”.
Talo më tha që do të ta zëvendësonte makinën pasi të mbaronte ngjarja. Makinën nuk ma zëvendësoi dhe nuk më dha as lekët që më premtoi. Disa ditë më vonë 2 ose 3 ditë pas ngjarjes po debatoja me Talo Çelën se ngjarja kishte ndodhur në Peqin dhe ato kishin ardhur në Durrës për kontroll te shtëpia ime. Thërritën dhe vëllain e madh po s’ka lidhje.
Fajin, Talo fajin ja vinte Tos Gosës sepse ky ishte informator i lëvizjes së Andi Zylyfit. Tos Gosa është bashkëpunëtor tek të gjitha vrasjet që kanë ndodhur në Elbasan duke filluar nga Indrit Dylgjeri, 2 vëllezërit Baho dhe tek Andi Zylyfi.
Tosi është diku mbi 40 vjeç, ka një lokal ose restorant në Peqin. Ka pasur një golf të zi dhe një BMV Seria 3. Tosi është kuqalosh diku tek 175 cm. Këtë j’ua them me siguri pasi e kam takuar dhe vetë Tosin.
Mbasi i është bërë atentati Andi Zylyfit kam shkuar me urdhër të Talos tek Dine Çami, i cili ka një lokal diku në qendër të Elbasanit, ka fast food. Kam shkuar tek Dine Çami dhe kam marrë një qese të zezë me lekë të ndara në 2 pjesë.
Unë Dine Çamin nuk e kisha parë më parë por kisha dëgjuar për të. Në dijeninë time, Dine Çamit lekët për vrasjen e Andi Zylyfit ja ka dhënë Kel Kamami. Dine Çami është burri i tezes së Kel Kamamit.
Dine ka patur lidhje familjare me Kelin nëpërmjet tij ka krijuar kontakt dhe me grupin e Çopajve (vëllezërit Çopja) dhe kjo i ka mundësuar Dines të investojë shuma parash të marra prej tyre në biznese të ndryshme. Dine ka një lokal, fast food dhe një servis. Ka shumë prona që janë investime të Çopajve.
Dine Çami është trup i shkurtër, i shëndoshë dhe qeros. Talo më tha do marrësh disa lekë, ato të voglat ndarjen me të vogël do ja japësh Tos Gosës.
Tos Gosën e kam takuar tek pishat në Peqin mesa mbaj mend ka patur një makinë të vogël por se mbaj mend, ndërsa Tosi ka ardh me një golf 5 i zi. Kemi biseduar pak dhe i kam thënë ja ku e ke porosinë tënde. Pjesën tjetër ja kam dhënë Altin Ndocit, i cili ka ardhur tek rrugica e lagjes time. Altini ka ardhur më një C Class 2008/2009.
Mbaj mend që ka qenë aksham kur i kam dhënë lekët. Altinin e pyeta për pjesën time, ai më tha për këtë punë merret Lala (Talo Çela). Konflikti vazhdoi më Talon edhe në telefon edhe ballë për ballë. Ai për çdo gjë me sillte Altin Ndocin për të biseduar ndërkohë kishte lidhje me Dorjan Shkozën. Një ditë kam sharë/ofenduar Altinin te lagjja.
Dorjani nuk më la ta godisja Altinin. Unë isha me vëllain tim Dashnorin. Pas 2 ose 3 ditësh Altin Ndoci i ka dalë vëllait tim Dashit e ka ndaluar në rrugë. Vëllai ka qenë me BMV seria 3, Altini i ka nxjerr pistoletën me mulli vëllait siç duket ka shkrep armën, por nuk ka realizuar qitjen.
Në atë moment vëllai del dhe e rreh keq Altinin në afërsi të lagjes time. Vëllai më vuri në dijeni për ngjarjen. Unë i shkruajta Talos dhe e shava goxha rëndë dhe i thash tani e tutje keni punë me mua pas kësaj ngjarje. Talo më tha që nuk e kam bërë s`kam çuar njeri dhe vëllait tënd i blej dhe makinë të re.
Altin Ndoci na provokonte goxha herë bashkë me Mirin e Kolës, saqë nuk po dinim të reagonim në atë kohë. Pashë situatën që nuk ishte e mirë, Dorjan Shkoza ishte gjatë gjithë kohës pas meje në çdo lëvizje duke më vëzhguar. Më pas u ula me vëllain dhe i thashë që duhet të largohemi nga Shqipëria pasi ato duan të na vrasin. Unë nuk lëvizja dot pasi isha me ekspuls…” – ka thënë Nuredin Dumani.
Marrëdhënia mes Talos dhe Nuredinit u shtua pas akuzës se Dumani ishte atentatori i vrasjes së Bujar Çelës, vëllait i Talo Çelës. Kjo ngjarje thelloi edhe më shumë këtë përballje të dy ‘bosëve’ të krimit.
“Në lidhje me vrasjen e Bujar Çelës të ndodhur në Elbasan në 17 Shtator të vitit 2020 dua të sqaroj se, arsyeja që u vra Bujari ishte se 2 ditë më parë më datë 15 shtator të vitit 2020 u vra miku im Klevis Kapllani në Rrogozhinë (dyshoj se ngjarja është kryer nga Talo Çela dhe njëri nga vëllezërit Manhasa).
Arsyeja e vrasjes së Kapllanit ishte se kishte dërguar pistoletën në ngjarjen e Emiljano Ramazanit tek servisi i Seit Manhasës vëllait të autorit. Unë u organizova me Enver Diven dhe me Besmir Xhixhën. Komunikova me Erjon Alibej edhe i thashë që do ndërroj objektiv nuk do t’i bëj atentat Dine Çamit, por do organizoj vrasjen e vëllait të Talo Çelës për të marrë hakun e shokun tim.
I thash Erjonit do t’u jap çunave 60.000 Euro, Enverit dhe Besmirit. Jemi takuar në 16 Shtator me Enverin dhe Besmirin në fshatin Pajovë dhe kemi qëndruar gjithë natën në një arë në Pajovë duke pritur orën 04:00 të mëngjesit pasi Bujar Çela në këtë orë çohej për të shkuar tek autobusat që vinin nga Greqia dhe pinte kafe aty.
Në orën 4:00 kemi shkuar tek shtëpia e Bujar Çelës, por na diktuan. Unë së bashku me çunat i shkova para shtëpisë dhe po prisja që të hapej dera e banesës për të dalë jashtë Bujari. Duke qëndruar në pritje vjen pas meje një shtetas të cilin nuk e njihja dhe e pyes kush je ti?
Më tha që jam i shtëpisë këtu. Unë isha veshur me një jelek antiplum dhe i them personit jam i policisë. U thashë çunave, “o komandant hajde se na pikasën dhe u larguam”. Unë isha me mjetin Mercedes E Class i vitit 2012 i cili ishte e vjedhur….
Pasi ikëm direkt tek kthesa e Cërrikut që të largoheshim nga lagja e Bujarit. U ktheva edhe njëherë bashkë me Besin dhe Enverin tek lokali ku unë e dija që ai e pinte kafen në mëngjes. Për vendndodhjen se ku e pinte kafen Bujari më kishte informuar Eljo Bitri.
Eljon e kisha si informator, por në këtë ngjarje nuk e dinte që do vritej atë ditë Bujari… Kur jam kthyer nga kthesa e Cërrikut për te lokali që do kryenim ngjarjen, kam ndaluar tek një karburant dhe kam hedhur naftë. Më pas shkova drejt vendngjarjes.
Nuk e mbaj mend nëse isha unë para apo makina tjetër. Rrugës afër lokalit pashë që doli nga makina Bujar Çela në atë moment bëra rreth rrotullimin dhe e ndalova makinën pak më përpara lokalit. Enveri me Besin ishin me makinën Renault përballë lokalit ku po prisnin që të afrohesha unë. Kur ata më panë që unë zbrita nga makina, Enveri doli nga makina ku po qëndronte dhe shkon në drejtim të Bujar Çelës për ta qëlluar.
Personat që ishin në tavolinë me Bujarin u çuan dhe u larguan, në atë moment Enveri e goditi me armën Scorpions 7.65 diku tek 20 herë. Unë shkova për ta qëlluar, por pistoleta me ngeci.
Ishte pistoleta që me kishte falur Talo Çela. Bujari nuk kishte vdekur akoma, por unë e doja të vdekur. Meqenëse mua mu bllokua arma që kisha thërras Besin që ishte shofer dhe i thash hajde më sill armën.
Më tha ça të bëj, i thash ta godiste në kokë. Ai qëlloi dy herë me pistoletë 9 mm nuk e mbaj mend armën. Jemi larguar direkt pastaj secili me makinë të vetë në drejtim të Peqinit ku unë ika shumë para dhe prita sa të vinin çunat me Renault.
Ja bëra me shenjë kur i pashë që të ktheheshin tek vendi ku do digjeshin makinat. Çunat e futën makinën dhe e dogjën dhe që të 2 erdhën te makina ime tip Benz. U larguam deri në Fushë Krujë me benzin….
Armët i kemi hedhur në kanal. I kemi hedhur tek rruga dytësore në Plepa tek kanali. Mbas shinave ku është rotondo jemi kthyer djathtas dhe kemi hedhur armët. Nëse shkoj në vendin e ngjarjes mund ta identifikoj vendin.
Lekët mi ka sjellë Erjoni nëpërmjet një personi në Vorë ku unë kam nxjerr Enverin dhe Besin të marrin lekët me sa mbaj mend. Erdhën lekët tek unë dhe ja ndava të dyve. Unë nuk mbajta asnjë lek. Të dyve i ranë nga 30.000 Euro për kokë. Unë pastaj u largova për në Kosovë. Arjanit i kam shkruar për këtë ngjarje” – thuhet në dëshminë e Nuredin Dumanit.