Nga David Patrikarakos, The Spectator
Të premten pasdite dikush vrau edhe një shkencëtar tjetër që punonte në programin bërthamor të Iranit. Mohsen Fakhrizadeh, që drejtonte sektorin e kërkimit dhe inovacionit në Ministrinë e Mbrojtjes iu zu pritë dhe u vra në makinën e tij në lindje të kryeqytetit Teheran, nga persona të armatosur që hapën zjarr ndaj tij dhe truprojave që e shoqëronin.
Unë po shkruaj prej gati një dekade mbi shkencëtarët bërthamorë iranianë, teksa libri im i ri mbi programin bërthamor të Iranit është ribotuar me disa plotësime këtë muaj. Me këtë akt duket se po fillon një cikël tjetër i dhunës bërthamore. Dhe Fakhrizadeh është deri goditja më e rëndësishme.
Ai ishte vërtet “truri” i ambicieve bërthamore të Iranit. Në vitin 2018 kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, e veçoi emrin e tij në një prezantim publik mbi programin bërthamor të Iranit. “Mos e harroni atë emër”- i tha audiencës. Një këshillë që dikush e mori shumë seriozisht.
Edhe amerikanët e kishin nën vëzhgim të veçantë Fakhrizadeh. Në vitin 2015, gazeta “The New York Times”, e cilësoi atë si “J. Robert Oppenheimer” e Iranit. Ky i fundit drejtoi dikur Projektin Manhatan gjatë Luftës së Dytë Botërore, që prodhoi armën e parë bërthamore në botë.
Iranianët po reagojnë ashpër ndaj vrasjes së tij. “Terroristët vranë sot një shkencëtar të shquar iranian”- shkroi në Twitter Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif. “Ky akt burracak – me të dhënat e para që tregojnë se pas tij qëndron Izraeli-synon të nxisë luftën. Irani i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare – dhe posaçërisht Bashkimit Evropian – që t’i japin fund standardeve të tyre të dyfishta e të turpshme, dhe ta dënojnë këtë akt të terrorizmit shtetëror”.
Që izraelitët e kishin vënë në shënjestër, kjo ishte më se e dukshme. Ata kanë kryer goditje të tilla prej të paktën 1 dekade. Përveç kësaj, askush tjetër nuk mund të realizojë vrasje të tilla në rajon. Sigurisht, ekzekutorët fizikë mund të mos kenë qenë agjentët e MOSSAD-it, shërbimit sekret izraelit.
Për operacione të tilla, Izraeli ka prirjen të përdorë grupimin iranian të opozitës, Organizatën Popullore të Muxhahedinëve Iranianë, ose Mujahedin-e-Khalq, një organizatë e ngjashme me kultin që luftoi përkrah Sadamit gjatë Luftës Iran-Irak.
Media shtetërore iraniane ka marrë stafetën. Në çdo rast ajo fajëson Izraelin, teksa citon Udhëheqësin Suprem Iranian Ali Khamenei të zotohet t’i “ndëshkojë organizatorët” e vrasjes, apo deklaratën e presidentit Ruhani që premton një hakmarrje të afërt.
Më shumë sesa kjo, fotoja e Fakhrizadeh është bërë virale në mesin e përdoruesve të rrjeteve sociale në Iran. Dhe kjo gjë është në vetvete shumë domethënëse. Në të kaluarën, iranianët zgjidhnin të zbehnin rëndësinë (dhe për këtë arsye edhe suksesin) e këtyre vrasjeve. Në këtë rast ata po bëjnë të kundërtën, dhe për ta kjo është një situatë shumë e ndërlikuar. Programi bërthamor i Iranit, është po aq cilësor sa edhe fuqia e kapitalit të tij njerëzor. Ky kapital është i mirë, por gjithashtu edhe i brishtë, dhe kjo sapo na është kujtuar.
Problem nuk është vetëm fakti që regjimi ka lejuar vrasjen e disa prej shkencëtarëve të tij më të mirë, por edhe që ata janë vrarë në mënyra të ngjashme:duke udhëtuar me makinat e tyre në rrugë; me bomba-magnet të ngjitura pas makinës nga motoçiklistë që janë larguar me shpejtësi; nga të shtëna armësh apo tani së fundi ndoshta nga një kombinim i të dyjave. Po të isha një shkencëtar bërthamor në Iran, do të shtroja një pyetje të thjeshtë:nëse nuk mundët ta mbroni Fakhrizadeh, atëherë si do të më mbroni mua?
Pyetja tjetër është: pse Fakhrizadeh u vra pikërisht tani? Për t’iu përgjigjur, ne duhet të shohim drejt një politike më të gjerë. Pavarësisht protestave të vazhdueshme të Donald Trumpit, më 20 janar të vitit të ardhshëm Joe Biden do të bëhet presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.
Biden ka qenë gjithmonë “djali i politikës së jashtme”, dhe në kryeqytetet e ndryshme evropiane dhe të Lindjes së Mesme ku unë shkruaj vazhdimisht, ka shumë njerëz që dëshirojnë të shohin nëse hyrja e tij në Shtëpinë e Bardhë, do të sjellë rikthimin e SHBA-së në lidershipin e botës-sidomos në Lindjen e Mesme.
Dhe disa nga këta njerëz janë izraelitët. Disa thonë se Izraeli mund të ketë goditur me vrasjen e shkencëtarit, pasi kishte të vetmen hapësirë nën presidencën Trump. Mendohet se Biden mund të mos jetë aq i përshtatshëm për këto lloj gjërash.
Por unë nuk jam dhe aq i sigurt. Izraeli do të kërkonte pothuajse me siguri dritën jeshile të SHBA-së për të vrarë një politikan apo gjeneral të njohur iranian. Por nuk është kështu për shkencëtarët bërthamorë pothuajse anonimë.
Përkundrazi, më duket se me këtë vrasje dikush diku ka transmetuar një mesazh të thjeshtë: administratat mund të ndryshojnë, por shqetësimet e sigurisë jo. Nga ana e tyre, iranianët e kanë bërë të qartë se kjo vrasje nuk do t’i spostojë ata nga pozicioni i tyre mbi programin bërthamor.
Kur Biden të rifillojë negociatat mbi marrëveshjen bërthamore me Iranin (të cilën Trump e shfuqizoi në vitin 2018) – dhe ai nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse ta bëjë këtë – prisni që iranianët të ngrenë zërin për vrasjen e Fakhrizadeh. Biden mund ta marrë vërtet pushtetin vitin e ardhshëm, por në Lindjen e Mesme, mandati i tij ka nisur tashmë. /Përktheu: Alket Goce- ABC