Shëndet Pse viruset përhapen më shumë në vendin e punës?

Pse viruset përhapen më shumë në vendin e punës?

Rreth botës miliona njerëz kanë braktisur zyrat e tyre, tavolinat e tyre të punës, bisedat me kolegët, këndin e thashethemeve, ndërkohe që ekspertet e shëndetit dhe qeveritë, iu kërkojnë të punojnë nga shtëpia.

Dihet tashme që këto masa janë një përpjekje për të përmbajtur përhapjen e koronavirusit të ri dhe punëtorët konsiderohen më të sigurt në shtëpitë e tyre dhe mendohet se boshatisja e zyrave të tyre mund të ngadalësojë përhapjen e Covid-19. Ndalimi i punës nuk është vetëm një masë paraprake, por dihet që vendet e punës kanë qenë dhe janë kryesore për përhapjen e viruseve dhe baktereve. Në çdo vend pune ndodh që nëse një person është i sëmure me grip, ditën tjetër, do të jenë edhe kolegët e tij të sëmurë.

Studiuesit kanë treguar se mikrobet, viruset dhe bakteret përhapen lehtësisht në një zyrë. Krissi Hewitt, drejtore i kërkimit institucional dhe iniciativave strategjike në Shkollën e Shkencave dhe Matematikës në Karolinën e Veriut, ka hulumtuar diversitetin dhe zhvillimin e jetës mikrobiale në vendin e punës.

“Njerëzit kalojnë një pjesë të madhe të jetës së tyre në vendin e punës ku hapësirat e ndara dhe ndërveprimi i lartë me sipërfaqet e përbashkëta rrit sasinë e mikrobeve në sipërfaqe dhe në ajër”, thotë ajo.

E thënë me fjalë të tjera, shumë nga sendet që ju keni në vendin e punës, mund të jenë shumë të rrezikshëm për përhapjen e virusit. Dhe sa më shumë kolegë që i prekin ata, aq më i lartë është rreziku i kontaminimit. Jonathan Sexton, një studiues në Kolegjin e Shëndetit Publik në Universitetin e Arizonës, zbuloi se vende të tilla si frigoriferë, dorezat e sirtarëve, dorezat e rubineteve, bravat e dyerve dhe sende të tjera të ngjashme janë vendet ku mikrobet përqendrohen më së shumti.

Studiuesit nga Shoqata Amerikane për Mikrobiologji, treguan se në një studim që kishin kryer së fundmi për përhapjen e viruseve, kuptuan se vendet e punës janë më të rrezikshmet. Ekspertët vendosën një mostër të një virusi të padëmshëm në një nga tavolinat e zyrave të tyre dhe vëzhguan se përhapja ishte shumë e madhe. Sipas tyre zona më e ngarkuar ishte dhoma ku punonjësit qëndronin për të konsumuar kafen, ose ushqimin. Studiuesi kryesor Charles Gerba, mikrobiolog në Universitetin e Arizonës tha se brenda dy deri në katër orë, viruset në përgjithësi mund të infektojnë 40% deri në 60% të punëtorëve, vizitorëve dhe objekteve të prekura më shpesh. Ndërkohë sipas tij, papastërtia e punonjësve mund ta përkeqësojë këtë gjë.

Virusi në ajër

Duart dhe tavolinat e pista janë diçka e rrezikshme, por rreziku më i madh për përhapjen e virusit është nëse përhapet nëpërmjet ajrit.

“Rreziku i madh nuk është nga ndërtesa, apo vendi i punës, por janë punonjësit e sëmurë. Nëse një person është i sëmurë, ai ose ajo mund të përhapë mikrobet përmes kollitjes dhe teshtitjes, duke prekur sipërfaqet dhe të kontaktojë ngushtë me të tjerët. Edhe duke qëndruar në tavolinat e tyre private, mikrobet gjithashtu mund të përhapet nga spërklat e kollës apo teshtitjes”, thotë Ali Khan, një epidemiolog dhe profesor në Kolegjin e Shëndetit Publik në universitetin e Nebraska.

Ajri që qarkullon gjithashtu mund të kontribuojë në përhapjen e mikrobeve. Hewitt thotë se në ambiente të mbyllura, jeta mikrobike qarkullon nëpër ajër dhe brenda sistemeve të ajrimit ose kondicionerëve.

“Mirëmbajtja e sistemeve dhe filtrimit ka një ndikim në mënyrën se si mikrobet qarkullojnë në ajër, kështu që ndërtesat që nuk kryer shërbimet e duhura për filtrimin e ajrit lagështinë dhe temperaturat mund të kontribuojnë në lëvizjen e mikroorganizmave në sasi të mëdha”, thotë ajo.

Vazhdoni të ndiqni rregullat e higjienës

“Ambienti i shtëpisë në të cilin, po punojmë shumë prej nesh, janë mjedise më të kontrolluara me më pak njerëz dhe më të pastra”, thotë Lisa Ackerley, nënkryetare e Forumit Shkencor Ndërkombëtar mbi Higjienën në Shtëpi.

Ajo shpjegon se nuk do të merakosemi për sipërfaqen ku punojmë nëse është prekur nga të tjerët, apo nëse higjiena e kolegëve është maksimale. Ekspertët thonë gjithashtu se, nëse dilni jashtë, ju mund ta sillni virusin në shtëpinë tuaj.

“Virusi nuk rritet spontanisht në shtëpinë tuaj. Normalisht që vjen nga një njeri i infektuar, kështu që për çdo dalje nga shtëpia duhet të keni kujdes maksimal“, thotë Khan.

Ekspertët shprehen se, pavarësisht nëse jeni duke punuar në një zyrë të përbashkët apo në shtëpi, ju duhet të jepni përparësi higjienës dhe dizifektimit të ambienteve. Sigurisht, do të ketë më pak rrezik në shtëpinë tuaj, pasi asnjë koleg i juaji nuk ka prekur vendin ku ju qëndroni, por nëse mikrobet apo viruset vijnë ne shtëpinë tuaj, ju do te infektoheni.

“Nuk është një ide e mirë, por është një gjë e shkëlqyeshme, të mësoheni me idenë se duhet t’i lani duart gjithmonë”, thotë Hewitt./BBC/