Paris Saint Germain ka fituar me rezultatin 2-0 të ashtuquajturin “derbin e sheikëve” përballë Manchester City në Champions League.
Një ndeshje spektakolare që u luajt në 90 minutat e saj dhe që justifikoi milionat e hedhura për lojtarët më të mirë në botë në të dyja krahët.
Parisienët kishin në fushë formacionin më të mirë të mundshëm që ishte plotësuar me blerjet e reja të Donnarumma, Messi apo dhe Hakimi që tashmë është i pazëvendësueshëm.
Vendasit e zhbllokuan shumë herët takimin në minutën e 8 me anë të Gueye. Që prej atij momenti topi nuk ndaloi më dhe raste të shumta u shënuan në të dyja krahët.
Guardiola nuk donte të dilte pa pikë në këtë takim, por fati nuk ishte me “Qytetarët”, kjo falë dhe formës së shkëlqyer të portierit italian.
Në momentin më të mirë të miqve në minutën e 74 vjen dhe dyfishimi i rezultatit me anë të Messi që gjen në këtë mënyrë dhe golin e parë me ngjyrat e reja që pas transferimit nga Camp Nou. Pleshti përfitoi nga një kundërsulm për ta dërguar topin në cepin më të largët të portierit mik.
Tashmë pas dy ndeshjesh të luajtura PSG ka grumbulluar 4 pikë, po aq sa surpriza e Club Brugge, ndërsa Manchester City 3.