Sport PSG mbulon me “ar” Donnarumman

PSG mbulon me “ar” Donnarumman

Gigio Donnarumma do të luajë në Kampionatin Europian duke e ditur se cila do të jetë skuadra e tij e ardhshme. Siç raportohet nga mediat italiane, PSG ka mposhtur konkurrencën e Barcelonës dhe Juventusit në garën për shërbimet e portierit të ekipit kombëtar italian, i cili do të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me parizienët me pagë 12 milionë euro në sezon, plus bonset.

Pas shumë muajsh negociata të pasuksesshme, Milani dhe portieri 22-vjeçar vendosën të ndanin rrugët. Përfaqësuesi ligjor i Donnarummas, menaxheri i famshëm Mino Raiola, ka mundur t’i sigurojë një kontratë “faraonike” klientit të tij. Nëse nuk do të ketë surpriza të bujshme, karriera e Gigios do të vazhdojë nën kullën Eiffel së bashku me Neymar dhe Mpabbé. I kërkuar me ngulm nga presidenti Nasser Al-Khelaifi, tani ish-numri 1 i Milanit do të luftojë për vendin e titullarit mes shtyllave me Keylor Navas, i cili kohët e fundit ka rinovuar deri në vitin 2024.

Francezët janë shfaqur të papërmbajtshëm në merkato dhe tashmë mungon vetëm zyrtarizimi i Georginio Wijnaldum si përforcim i mesfushës. Pas tërheqjes së Barcelonës, që nuk mundi t’ia plotësonte kërkesat ekonomike, ​​holandezi mësohet se ka arritur marrëveshjen me parizienët për një kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2024. Zyrtarizimi do të bëhet sapo të kalojë me sukses ekzaminimet mjekësore.