Koronavirusi është shndërruar në një telash për klubin francez të Paris Saint Germain, pasi sot ka rezultuar pozitiv edhe ylli i skuadrës Kylian Mbappe, i cili bëhet kështu futbollisti i shtatë në skuadër, që preket nga Covid-19.
Lajmi u bë i ditur nga vetë klubi parizien, ndërsa Mbappe iu bashkua emrave të tjerë të prekur nga koronavirusi, si Neymar, Icardi, Marquinhos, Paredes, Di Maria dhe Navas, të cilët ishin që të gjithë me pushime në Ibiza.
Shtohen kështu telashet për trajnerin gjerman Thomas Tuchel, i cili po përgatit ndeshjen e parë të kampionatit, të programuar për më datën 10 shtator ndaj Lensit, e cila tani është vënë në dyshim nëse do zhvillohet apo jo.
Gjithsesi nëse vendoset që të luhet, do të jetë mjaft e vështirë për Paris Saint Germain, pasi thuajse të gjithë futbollistët e prekur nga koronavirusi, janë pjesë e formacionit bazë të skuadrës.
Vlen të theksohet se sulmuesi ishte në grumbullim me kombëtaren franceze, në pritje për të luajtur ndeshjen ndaj Kroacisë, por tani është larguar dhe është vendosur në karantinë.