Pa dy prej yjeve të skuadrës, si Neymar dhe Cavani, Paris Saint Germain arriti të dhurojë një paraqitje fantastike në transfertën angleze përballë Manchester Unitedit në sfidën e vlefshme për fazën e 1/8-ave të Champions League.
Francezët e drejtuar nga Thomas Tuchel arritën të triumfojnë me rezultatin 0-2, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kalimit në çerekfinale dhe duke konfirmuar edhe njëherë se mbeten pretendentët kryesorë për të ngritur lart trofeun në maj.
Në mungesë të yjeve të skuadrës, ishin Di Maria dhe Mbappe, ata që morën për dore skuadrën franceze, pasi argjentinasi asistoi në të dy golat, fillimisht për qendërmbrojtësin Kimpembe dhe më pas për sulmuesin e kombëtares së “gjelave”.
Përveç humbjes me dy gola diferencë, për ndeshjen e kthimit trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer duhet të bëjë llogaritë edhe me mungesën e Paul Pogba, i cili mori karton të kuq në minutën e 90′.
Një gjysmë hapi pozitiv hodhi edhe Roma mbrëmjen e sotme, që arriti të triumfojë përballë Portos me rezultatin 2-1, në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Olimpico” të kryeqytetit italian, ku të tre golat u shënuan në pjesën e dytë.
Zaniolo ishte heroi i verdhekuqve të Di Francescos në sfidën e sotme, pasi arriti të shënojë të dy golat për skuadrën e tij, ndërsa për portugezët shënoi Adrian dhe mbajti gjallë shpresën për një kualifikim të mundshëm në takimin e kthimit në Oporto.