Psikologët ngrenë shqetësimin se izolimi i zgjatur për shkak të pandemisë Covid-19 ka rritur dhunën brenda familjes. Psikologia Arjana Muçaj e ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi thotë se rastet e dhunës janë rritur ndjeshëm për shkak të ngarkesës së lartë emocionale.
“Një nga elementët që kam vënë re është rritja e agresivitetit brenda ambientit familjar. Ka filluar ngarkesa të shkarkohet mbi anëtarët më vulnerabël, kanë nisur goditjet qoftë edhe ato verbale ndaj bashkëshortëve. Po ashtu edhe dhuna ndaj fëmijëve është rritur. Izolimi në vetvete ka bërë që të shfaqet dhuna në familje. Mendoj që do të kemi një rritje të numrit të divorceve pas kësaj pandemie. Duke marrë shkas nga problemet ekonomike, që në këtë periudhë janë të shumta dhe ato janë baza për të nisur konflikti.” – tha Muçaj.
Psikologia Muçaj thotë se shqetësimi më i madh janë moshat e treta, për shkak të ndjeshmërisë së lartë që kanë ndaj vetmisë.
“Ajo që më shqetëson më shumë është mosha e tretë, e përjetojnë shumë. Kanë nevojë shumë për kontakte sociale. Nga studimet e fundit ka në Kinë është vënë re numri i lartë i vetëvrasjeve më shumë tek mosha e tretë, sepse ata e ndjejnë më shumë vetminë”, thekson Muçaj në Përballë.
Në intervistën për gazetarin Lutfi Dervishi, psikologia e njohur shton se shqetësimi më i madh për shoqërinë shqiptare është pasiguria për të ardhmen dhe frika se çfarë do të ndodh pas pandemisë.