Policia e Shtetit njofton se sistemi MEMEX nuk është hakeruar dhe se të dhënat e publikuara së fundmi nuk ka lidhje me databazën e sistemit policor.
“Nga deklarimet e bëra sot në media dhe referimet e këtyre deklarimeve, sipas të cilave janë marrë të dhëna nga sistemi MEMEX, sqarojmë opinionin publik se ky sistem nuk është prekur dhe se këto të dhëna nuk kanë të bëjnë fare me databazën e sistemit policor MEMEX. Policia e Shtetit njofton se, deri në këto momente, nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen në këtë sistem, të cilat kanë të bëjnë me punën policore”, thuhet në reagimin e policisë.
Policia e Shtetit sqaron më tej se në bashkëpunim me partnerët, po heton origjinën e rrjedhjes së këtyre të dhënave.
“Apelojmë që në zbatim të urdhrit të prokurorit, të datës 19.09.2022, të mos publikohen nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit, të dhëna që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik ndaj sistemeve dixhitale të Policisë së Shtetit”, thuhet më tej në njoftim.
Ditën e sotme ‘Homeland Justice’ publikoi dokumente të tjera nga skedarët e policisë.
Në dokumente shfaqen të dhënat e personave që dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete kriminale.