Kryesore Publikohen rezultatet e referendumit për shkarkimin e Bashës, vetëm 306 vota kundër

Publikohen rezultatet e referendumit për shkarkimin e Bashës, vetëm 306 vota kundër

Komisioni i rithemelimit të PD ka publikuar këtë të diel rezultatet zyrtare të referendumit të mbajtur më 18 dhjetor për shkarkimin e kryetarit aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në referendum kanë marrë pjesë 43,879 anëtarë të Partisë Demokratike nga të cilët 43,385 kanë votuar pro shkarkimit të Lulzim Bashës nga posti i kryetarit, 306 kanë votuar kundër, 17 vota kanë qenë abstenim, ndërsa 171 vota janë shpallur të pavlefshme.

Të shtunën, Sali Berisha zgjodhi shkallët e selisë blu nga ku drejtoi një thirrje për të gjithë mbështetësit e lidershipit aktual.

“Ftoj deputetët e PD-së të marrin listën dhe të kontrollojë një për një anëtarët që kanë votuar dhe të nxjerrin konkluzionet e duhura. Të mos sillen si njerëz pa vizion, kam pas vlerësim për disa nga to si zyrtarë, por tjetër është të jesh zyrtar, e tjetër gjykimi si politikanë. Deputeti është i detyruar të gjykojë politikisht, të mos bëhen instrumente të një skenari të turpshëm, jo vetëm për Shqipërinë. Ftoj kryetarët e degëve të heqin dorë dhe mos të bashkëpunojnë në skenarë që nuk do të pengojnë kurrë revolucionin, edhe pse mund të prodhojnë situata të paparashikueshme”.

Bashën e akuzoi se po përdor mbështetjen e kryeministrit Rama për të ruajtur selinë e demokratëve, duke sjellë forca speciale si ato RENEA.

Kjo akuzë e liderit historik të demokratëve mori përgjigje të menjëhershme të Bashës, i cili nuk nguroi t’i tregonte mbështetjen që gëzon brenda selisë blu.

“Sot tha RENEA, nesër marinsa, nuk na duhet RENEA sepse kemi vetë mbështetës”, deklaroi Basha pas mbledhjes së kryesisë.

Ndërkohë që Basha e paralajmëroi me përjashtim përfundimtar nga partia, Berisha paralajmëroi protesta kombëtare duke nisur nga e hëna e 20 dhjetorit.

Më herët gjatë së shtunës, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Partia Demokratike mbajti Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha. Në kuvend u miratua rezoluta e propozuar nga Këshilli Kombëtar që nuk njeh Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha. Kuvendi gjithashtu miratoi edhe ndalimin në funksione hierarkike të partisë të personave të shpallur “non grata” si edhe të personave që kanë pasur pozicione të ndryshme gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri.

Ky kuvend nuk njihet nga Berisha dhe mbështetësit e tij, që e konsiderojnë tashmë Bashën të shkarkuar.

Referendumi u organizua tre muaj pasi Berisha nisi një seri foltoresh në disa qytete të vendit, pas vendimit të Bashës për ta pezulluar nga grupi parlamentar i PD, pasi ishte shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.