Ministria e Brendshme publikoi sot, sipas përcaktimeve ligjore, ekstraktin e parë të listave zgjedhore për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 Prill 2021.
Nga të dhënat paraprake të gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, rezulton se të drejtën e votës e kanë 3,608,003 shtetas. Ndër ta, rreth 50.5% e zgjedhësve janë meshkuj dhe rreth 49.5% femra.
“Zyrat e Gjendjes Civile në bashki apo njësi administrative, kanë detyrimin ligjor të printojnë ekstraktin e parë të përbërësve zgjedhore të të gjithë zgjedhësve sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin e tyre territorial. Ky ekstrakt firmoset nga Kryetari i Bashkisë dhe publikohet në ambientet e bashkive/njësive administrative/në vende me hyrje të lirë të aksesueshme për publikun”, tha Bledar Doracaj.
Duke nisur nga data 7 tetor 2020, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Cividle do të nisë verifikimet për publikimin e listave të para të zgjedhësve.
Listat zgjedhore me të njëjtat kritere, do të printohen dhe publikohen në mënyrë periodike, sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, deri në gjenerimin dhe printimin e listës përfundimtare të zgjedhësve.
Çdo qytetar mundet të verifikojë online emrin në listën zgjedhore, përmes portalit qeveritar e-Albania dhe pranë çdo mjedisi ku listat do të jenë të afishuara nga bashkitë përkatëse.