Mediat greke kanë publikuar foton e çiftit shqiptar, kur ditën e sotme burri vrau gruan me thikë në banesën e tyre në Athinë.
40-vjeçari e goditi me thikë bashkëshorten 31-vjeçare duke e lënë të vdekur, të dy prindër të një fëmije 8 vjeç.
Fqinjët kanë treguar se çifti grindej shpesh. Madje njëri prej tyre tregon se më datë 11 Korrik, ai kishte lajmëruar policinë për shkak se burrë e grua po ziheshin dhe po bërtisnin.
“Ishin çift që ziheshin shpesh. Asgjë nuk ishte e papritur. Më 11 Korrik kisha paraqitur ankesë në polici sepse u përleshën atë ditë dhe po bënin zhurmë. Policia erdhi atë ditë, makina e patrullës kaloi lart e poshtë, por nuk mendoj se trokiti në derën e tyre, nuk bënë asgjë. Ne nuk dinim as emrat e tyre. E vetmja herë që ata trokitën në derën tonë ishte gjatë karantinës, kur djalit të tyre i duhej kodi i internetit për shkak se ata e kishin ndërprerë”, thotë një nga fqinjët.
40-vjeçari, pasi vrau gruan, shkoi në polici dhe u dorëzua vetë duke treguar çfarë kishte bërë. Ai tha se ishte xheloz për bashkëshorten.