Nga Gjergji Kajana
Duke synuar të projektojë rajonin jugor italian të Puljas si një rrugë lidhjeje ekonomiko-kulturore me brigjet e tjera mesdhetare, në 7-8 gusht në San Dana (lokalitet pjesë e komunës Gagliano del Capo në provincën e Leçes) u zhvillua edicioni i gjashtë radhaz i manifestimit vjetor “Salento –Shqipëri: një urë mes dy brigjeve”. Organizuar prej shoqatës kulturore “Ura Jo Mure”, moderuar nga Geri Ballo (aktiviste italo-shqiptare aktualisht përgjegjëse komunikimi e Shoqatës Italiane të Kultivuesve) e gazetarja Ilaria Lia (autore e librit “Shqipëri – Itali vajtje ardhje”), eventi pati si qendër programatike temat e rivlerësimit të rrugëve romake Appia (ndëritaliane) e Egnatia (ndërballkanase), vëmendje të shtuar për të nxitur bashkëpunime akademike e binjakëzime mes institutesh shkollore puljeze e shqiptare (ide theksuar nga drejtuesja e institutit të arsimit të mesëm Gaetano Salvemini të Alessano-s Chiara Vantaggiato) dhe bashkëpunimit ekonomik puljezo-shqiptar me vëmendje të shtuar në sektorin e ujit.
Gjatë ndërhyrjeve profesor Romeo Hanxhari (Universiteti i Tiranës) nënvizoi rëndësinë e vlerësimit cilësor të territoreve të Puljas e Shqipërisë duke i trajtuar si një sistem i vetëm që zhvillohet nën zbatimin e objektivave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi zhvillimin e qendrueshëm. Historiani Dorian Koçi, përgjegjës i marrëdhënieve me jashtë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e ish-drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, ravijëzoi sintetikisht historinë që lidh territoret e përshkuara nga Appia e Egnatia në një bashkësi shpirtërore që thurrte racionalizimin administrativ romak me temperamentin më të trazuar ballkanik. Terreni i përshkuar nga dy rrugët bashkë niste në Romë e përfundonte në Kostandinopojë, duke kaluar përgjatë Italisë së Jugut e pjesës jugore të Ballkanit. Në fjalën e vet Koçi konsideroi kandimin e Appia-s si trashëgimi e UNESCO-s si lajm shpresëlënës për një rivlerësim në këtë drejtim edhe të Egnatia-s.
Pas theksimit të ekzistencës së projektesh italo-shqiptare të bashkëpunimit akademik universitar dhe atyre përkrahur e financuar nga BE (si psh. Interreg IPA CBC Itali – Shqipëri –Mali i Zi), docentja e Universitetit të Salentos Valentina Ndou përmendi temën e ndjeshme hidrike, duke vënë në pah rëndësinë e ekonomisë rrethore (“circular economy”), e cila do të mundësonte ripërdorimin e këtij burimi të çmuar jetik. Territor bujqësor, Pulja vuan mungesa të theksuara uji. Qeveria rajonale po aktivizohet për të zbatuar një ide lindur 31 vjet më parë për të importuar ujë nga Shqipëria përmes një ujësjellësi që do të përshkojë Adriatikun. Projekt i financueshëm me fonde ndërkombëtare, të shtetit italian e të Rajonit Pulja, kjo infrastrukturë strategjike mund të shohë jetë brenda kësaj dekade dhe parashikohet të nisë nga Gjirokastra në Shqipërinë e Jugut për të mbërritur në Galugnano. Çuar para personalisht nga presidenti i Rajonit Pulja Michele Emiliano, kontaktet me Tiranën mbi zbatimin e idesë ndodhen në fazën e projektimit të studimeve të fizibilitetit, fakt konfirmuar në San Dana gjatë ndërhyrjes së Tina De Francesco, anëtare e këshillit që administron entin Ujësjëllësi Puljez.
Duke pohuar rëndësinë e një Shqipërie në BE për Puljan dhe faktin se kapitali njerëzor përbën konstruktin fuqizues të brand-it të Vendit të Shqiponjave, përgjegjësi i delegacionit të Rajonit Pulja në Tiranë Claudio Polignano informoi mbi projektet e zhvillimit e kontaktet institucionale që enti përfaqësuar prej tij çon para në vendin ballkanik. Njëri prej projekteve është “Aftësia Ripërtëritëse Anësore: modeli i ekonomisë rrethore për vlerësimin cilësor të vokacioneve territoriale” (titulli origjinal në italisht: “Resilienza Marginale: il modello della circular economy per la valorizzazione delle vocazioni territoriali”), zbatuar nga Rajoni Pulja dhe financuar me një fond që tejkalon 1.1 milionë euro nga Agjencia Italiane për Bashkëpunimin në Zhvillim (AICS). Gjatë rakordimeve fillestare të projektit në 2021, nga Agjencia Kombëtare e Diasporës (AKD) u theksua rëndësia e lidhjes me bashkësinë arbëreshë në Pulja, e cila në rajon përqendrohet kryesisht në lokalitetet Chieuti, Casalvecchio di Puglia e San Marzano di San Giuseppe. Ky projekt shtrihet në 3 vjet dhe ka për qëllim promovimin e zhvillimit të qendrueshëm në territorin e Vlorës e Himarës, duke shfrytëzuar burime autoktone të tyre; synon mbi të gjitha të sjellë fuqizimin e një rrjeti ekonomik prodhues mes zonave rurale të brendshme e atyre bregdetare. Uebsajti zyrtar i Rajonit Pulja mbi këto nisma programatike njofton se po punohet për realizimin e qendrash të vogla për grumbullim e përpunim prodhimesh bujqësore dhe përpunim të atyre prej qumështit, vlerësim cilësor të markash tipike lokale që në një kohë të dytë do të jenë të tregtueshme përmes start up-esh rinore të aktivizuara përmes akordimit të mikrokredive.
Lidhjet mes krahinës së Salentos në Pulja e Shqipërisë kanë një histori dinamike. Me një imazh të rëndësishëm dhënë prej qenies porti i dytë më i madh e i rëndësishëm shqiptar dhe përfituese planesh përmirësimi infrastrukturor vënë në jetë nga qeveria shqiptare në kuadrin e shndërrimit të synuar të Shqipërisë në një xhevahir të turizmit mesdhetar, Vlora ka lidhje me San Dana-n përmes shenjtorit të krishterë që mbante këtë emër, i cili kishte origjinën në qytetin bregdetar shqiptar dhe i dha emërtimin lokalitetit salentin. Në 1498-n Mbreti i Napolit i dhuroi Gagliano del Capo-n Donika Arianiti Kastriotit, e veja e heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në 1571 një nga trashëgimtarët e dinastisë kastriotase mori pjesë në betejën detare të Lepantos në krahun e flotës së krishterë që triumfoi mbi osmanët dhe në kthim ngriti në Santa Maria di Leuca një monument përkujtimor të kësaj fitoreje. Monumenti qëndron ende në këmbë. Në 1991 Pulja priti dhjetëra mijëra shqiptarë në ikje nga vendi i tyre gjatë rënies së komunizmit. Sipas shifrash të mbledhura e botuara në 2022 nga qendrat studimore IDOS e Confronti dhe Instituti S. Pio V në lidhje me vitet 2020-2021, në këtë rajon jugor të Italisë ka 21.740 shqiptarë me banim të përhershëm, 5.467 studentë të regjistruar në vitin akademik 2020 – 2021 e 834 titullarë sipërmarrjesh individuale.
(Versioni origjinal i artikullit është botuar italisht në median italiane Lanterna Web.)