Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, u ankua këtë të premte në Komisionin e Ligjeve për punën e Prokurorisë. Sipas saj, organi i akuzës ka qenë dobët në hetimin e korrupsionit, apo dhe narkotikëve.
“Pavarësisht se rezulton që ka një rritje të numrit të hetimeve për veprat penale të korrupsionit krahasuar me një vit më parë, rastet që kanë shkuar për gjykim mbeten në të njëjtat nivele”, tha Gjonaj.
“Ne kemi evidentuar edhe vetë ku çështje të caktuara të task-forcës kundër korrupsionit, drejtuar nga ministri i Drejtësisë, janë dërguar për hetim në prokurori me dosje të plota, në pjesën më të madhe është vendosur pushim, apo mosfillim, dhe për pjesën tjetër ka pasur zvarritje të procesit. Ndërkohë vijon të mbetet roli i ulët i prokurorisë sa i përket hetimeve proaktive për korrupsionin, duke përfshirë edhe numrin e rasteve të hetuara me metoda speciale, të cilat zënë vetëm 12,7% të numrit total të çështjeve të filluara”.