Drejtoritë arsimore në të gjithë vendin, kanë bërë publike rezultatet e dosjeve të mësuesve të papunë, të cilët kanë aplikuar për t’iu nënshtruar provimit, “Mësues për Shqipërinë”. Pas përfundimit të afatit të dorëzimit të këtyre dosjeve deri në datën 22 dhjetor, Drejtoritë Arsimore kanë bërë llogaritë për pikët e grumbulluara nga secili kandidat me anë të dosjeve. Sipas të dhënave, pikët maksimale të grumbulluara nga dosja, ishin 20 të tilla, ku avantazhin më të madh e kishin mësuesit me përvojë pune në mësuesi, ndërkohë ata fillestarë kanë siguruar deri në 7-8 pikë.
Provimi
Rikthehet portali “Mësues për Shqipërinë”, për të gjithë mësuesit që duan të punësohen në një nga vendet që do të hapen në arsim. Ministrja e Arsimit ka miratuar gjatë ditës së djeshme, udhëzimin më të fundit i cili parashikon se kush do të jenë programet orientuese, në të cilat do të mbështeten pyetjet e provimit. Provimi do të zhvillohen për 2 orë e gjysmë, në ditën që do të përcaktohet nga Ministria e Arsimit. Për Ministrinë e Arsimit, “Mësues për Shqipërinë” ka rezultuar një formulë e suksesshme, ndaj edhe po shikon mundësinë të mos ngelet vetëm në udhëzim, por të futet si akt nënligjor.
Procedura e punësimit
Që një mësues të fitojë vendin e punës, duhet të kalojë nëpërmjet tri fazave. E para, ka të bëjë me dorëzimin e dosjes në Drejtorinë Arsimore Rajonale përkatëse. Të gjithë mësuesit që kanë një diplomë të nivelit të dytë, bashkë me licencën për ushtrimin e profesionit, duhet të aplikojnë nëpërmjet postës në DAR, duke dorëzuar dokumentet që janë të cituara në udhëzimin nr. 38, “Për procedurat e lëvizjes paralele, emërimit dhe largimit nga puna të mësuesit në institucionet arsimore publike”.
Testimi “Mësues për Shqipërinë” është faza e dytë, nëpërmjet së cilës duhet të kalojnë të gjithë ata që pretendojnë të fitojnë një vend pune në mësuesi. Ndërsa faza e tretë, ka të bëjë me zgjedhjen e vendit të punës dhe emërimit të mësuesit. Rezultati i provimit është një nga faktorët përcaktues, por jo i vetmi për t’u punësuar. Pikët e testit kanë 70% të peshës në garën për punë. Shumatorja e rezultatit me pikët e dosjes që vlerëson DAR përbën totalin e pikëve që bëjnë rankimin përfundimtar të mësuesve. Në rast se hapet një vend pune për një profil të caktuar, ai me rezultate maksimale punësohet me kontratë 1-vjeçare. Në portalin “Mësues për Shqipërinë” përfshihen dhe mësuesit që dëshirojnë të lëvizin mes punës nga zonat rurale në ato urbane dhe anasjelltas. Ata që e kanë dhënë këtë provim dhe dëshirojnë të mbajnë rezultatin, për t’u punësuar, duhet të dorëzojë dosjen dhe të vijojnë garën me pikët që kanë. Probabiliteti i punësimit të gjithsecilit, është në varësi të vendeve vakante që hapen në profilin që ata i përkasin.