Tre vend burime nafte të Albpetrol janë nxjerrë për dhënie me koncesion nga qeveria.
Blloqet Cakran – Mollaj në Fier dhe Gorisht – Koçul dhe Amonicë në qarkun e Vlorës, janë nxjerrë për shitje nga ministria e Energjisë dhe më 31 mars përfundon dhënia e ofertave nga privatët.
Burime nga ministria thonë se nëse procedura do të mbyllet me sukses, atëherë do të nisë dhe faza e parë e planit të ristrukturimit të Albpetrol. Qeveria ka lajmëruar se gradualisht kompania shtetërore e nxjerrjes së naftës do të kthehet në një njësi të vogël më pak veta për menaxhimin e kontratave hidrokarbure, ndërkohë organika me 2300 punëtorë do të shkurtohet ndjeshëm.
Dy vend burimet e para Cakran-Mollaj dhe Gorisht-Koçul konisderohen me rezerva të kënaqshme naftë. Edhe më parë këto blloqe ka qenë dhënë me koncesion por qeveria i ka rimarrë puset për shkak të shkeljes së marrëveshjeve.
Autoritetet janë optimistë se gara do të japë rezultat pozitiv dhe brenda 6-mujorit të parë mund të nisin negociatat me kompanitë fituese.
Paralelisht do të zbatohet dhe plani i ristrukturimit të personelit. Një pjesë e atyre që do të shkurtohen do të trajtohen me pagesa afatgjata, kurse një pjesë do të kalojnë tek kompanitë që do të marrin koncesionin.