Europa u shpreh e mllefosur me Zvicrën për shkak se ky vend nuk e ka sanksionuar Rusinë në përgjigje të pushtimit të Ukrainës.
“Ky është kërcënimi më i madh për sigurinë dhe stabilitetin evropian që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Dhe nuk prek vetëm Ukrainën, por edhe Evropën – jo Bashkimin Evropian: prek Evropën. Zvicra është pjesë e Evropës”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano për mediat në Bruksel.
“Pra, ne presim që partnerët tanë, fqinjët tanë, aleati ynë, të ndjekin shembullin në mbrojtje të parimeve mbi të cilat bazohen komunitetet tona dhe vendet tona. Ndër këto parime janë respektimi i rregullave ndërkombëtare, mbrojtja e demokracisë dhe solidariteti”, shtoi ai.
Qeveria zvicerane thotë se dëshiron të sigurohet që Zvicra nuk do të keqpërdoret dhe se po i konsideron sanksionet. Megjithatë, qeveria nuk ka bërë të ditur ndonjë masë konkrete.
Përmes një deklarate, qeveria tha se po përcjell situatën nga afër dhe se është në kontakt me disa vende për të shkëmbyer informata.
“Zvicra mund të miratojë masa të detyrueshme për të zbatuar sanksionet e miratuara nga Kombet e Bashkuara, OSBE ose partnerët kryesorë tregtarë të Zvicrës”, tha qeveria.
Qeveria dënoi njohjen nga Rusia të dy rajoneve të shkëputura në fillim të kësaj jave si një shkelje e integritetit territorial të Ukrainës.
Në vitin 2014, Zvicra neutrale nuk miratoi sanksione të BE-së kundër Moskës për aneksimin e Krimesë.