Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve po monitoron për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Në një komunikatë të bërë publike nga prokurori britanik, Karim Khan thuhet se ka pranuar që të hap hetim për këtë çështje.
Ukraina ka kërkuar që Rusia të gjykohet për pushtim me pretekst fals se ka pasur gjenocid ndaj rusishtfolësve në vendin e saj.
Hetimi pritet të kërkojë shumë kohë dhe ekspertët e shohin si një veprim simbolik dhe jo shumë domethënës.
Pavarësisht kësaj shumë grupe kanë nisur të mbledhin prova për krimet që ushtria ruse po bën.
Gjykata e Hagës, e krijuar në 2002, ka në juridiksionin e saj dhe krimet e agresionit që prej vitit 2018.
Por, Ukraina dhe Rusia nuk janë mes 123 vendeve që kanë nënshkruar traktatin. E vetmja rrugë që gjykata të ketë juridiksion për krimet në konfliktin e Ukrainës është që Këshilli i Sigurimit në OKB t’i kërkoi të hetojë për këtë rast.
Para disa ditësh, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson pati paralajmëruar se presidenti rus, Vladimir Putin mund të përballet me krime lufte për pushtimin e Ukrainës.
Gjatë fjalës në parlament, ai tha se “çdokush që dërgon rusë në betejë për të vrarë ukrainas të pafajshëm” duhet të çohet para gjykatës.
Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar po punon me aleatët për ta çuar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për të gjykuar personat e përfshirë në luftë.
Kryeministri britanik gjithashtu e krahasoi rastin e sulmit mbi Ukrainë me luftën në Kosovë. Ai kujtoi në përfundim të fjalës së tij, fundin e Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq gjatë gjykimit në Hagë.