Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla pezulloi nga detyra Drejtorin e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça dhe prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Artur Selmani, si edhe urdhëroi nisjen e hetimit ndaj tyre, për shkak të qëndrimit të dyshimtë që është mbajtur në Gjykatën e Lartë, ku po shqyrtohet rekursi për një ngjarje të rëndë në Vlorë, ndodhur në vitin 2015, ku kanë mbetur të vdekur 3 persona pas një konflikti të armatosur.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe më tej, Prokuroria e Apelit Vlorë, kanë gjetur mbështetjen e gjykatave respektive, të cilat kanë vendosur dënime maksimale për 3 personat e akuzuar. Një prej të pandehurve është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa dy prej të pandehurve janë dënuar me 35 vjet burg nga Gjykata e Apelit Vlorë.
Të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre kanë dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë, në të cilën kishin paraqitur pretendimet e tyre lidhur me akuzat dhe dënimet.
Gjatë shqyrtimit të rekursit në Gjykatën e Lartë, prokurori i çështjes, Artur Selmani, jo vetëm që nuk ka mbështetur qëndrimet e mëparshme të Prokurorisë, por ai ka kërkuar pushimin e akuzave shumë të rënda, për të cilët të pandehurit ishin dënuar maksimalisht në dy shkallët e gjyqësorit në Vlorë.
Për këtë qëndrim të dyshimtë, prokurori Selmani pretendon se e ka diskutuar me Drejtorin e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça.
Prokurori i Përgjithshëm, i vënë në dijeni për situatën, pasi prokurori Selmani e kishte prezantuar qëndrim e tij në Gjykatën e Lartë, ka urdhëruar menjëherë pezullimin e tij dhe të drejtorit , Alma Muça, si edhe ka urdhëruar nisjen e hetimit për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve….” Dhe “Shpërdorim detyre”, me qëllim për të zbuluar shkaqet e këtij qëndrimi.
Gjithashtu, pjesë e penalizimit administrativ dhe hetimit penal janë edhe ndihmësit gjyqësorë, të cilët kanë përgatitur relacionin për prokurorin.
Në një letër drejtuar Presidentit të vendit Bujar Nishani në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dy familje nga Vlora kërkojnë ndihmë në gjykimin e autorëve që u morën jetën 2 djemve të tyre.
Sipas familjeve Rakipi e Velaj, djemtë e tyre, Haki e Ardi u vranë me plumb pas koke në vitin 2015 në lagjen ‘Çole’, por nga ajo kohë deri tani, 3 personat e dyshuar si autorë po i shpëtojnë dënimit maksimal.
Familjaret shprehen se të tre djemtë e akuzuar si autorë me gjithë provat e paraqitura nga akuza, nuk bashkëpunuan me prokurorinë as me gjykatën dhe kjo e fundit u dha gjykim te shkurtuar.
Po kështu ata theksojnë se prokurori ka mbrojtur autorët, në vend të ngrinte akuza ndaj tyre, dhe nga seanca në seancë nuk kuptuan asnjëherë se përse ndodhi kjo masakër ndaj djemve të tyre.
Ngjarja, çfarë ndodhi me 7 prill në lagjen “1 Maji”, viti 2015
Një vit me parë Gjykata e Vlorës bazuar tek hetimet e prokurorise, ka shpallur fajtor 3 të rinjtë e akuzuar për vrasjen e trefishtë në 7 prill në një lokal të qytetit bregdetar.
Nga tërësia e provave dhe thënieve të dëshmitarëve të mbledhura nga Prokuroria ka rezultuar se shtetasit Albi Limaj dhe Ardi Velaj, më dt 07.04.2015, kanë komunikuar me telefon me njëri-tjerin në lidhje me një ngjarje të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së njëjtës ditë (që lidhej me shtetasin Xhuljano Maskaj).
Fillimisht komunikimi midis tyre ka filluar në orën 12.33 me telefonatën e shtetasit Albi Limaj në drejtim të numrit telefonik të shtetasit Ardi Velaj, më pas komunikimet e tjera vijojnë në orën 13.50 e në vijim.
Rreth orës 14:00 të dt 07.04.2015 Ardi Velaj dhe Haki Rakipi janë filmuar duke ecur sëbashku në drejtim të kafe „Ador” ,njëri prej të cilëve është duke pirë cigare.
Velaj dhe Rakipi janë futur në njërën nga hyrjet e lokalit (lokali ka dy hyrje)dhe kanë ndaluar në verandë përballë njëri-tjetrit, duke biseduar dhe pirë cigare.
Pas rreth dy minutash në hyrjen tjetër janë shfaqur sëbashku Albi Limaj dhe i pandehuri Aleksandër Llanaj.
Në momentin që këta të fundit janë futur në verandën e lokalit, i pandehuri Alekandër Llanaj, duke ecur në drejtim të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, ka goditur me armë zjarri në drejtim të tyre duke goditur fillimisht në drejtim të Ardi Velaj.
Si pasojë e goditjes me armë zjarri, Velajt i është shkaktuar një plagë në kokë, në anën e majtë dhe se pistoleta që ishte pranë shtetasit Ardi Velaj nuk ka realizuar asnjë qitje.
Llanaj ka goditur më pas shtetasit Haki Rakipi, fillimisht në gjoks dhe pastaj në pjesën e djathtë të kokës.
Nga automjeti tip BMV me targa AA 323 AO, ka dalë i pandehuri Bertil Aliaj, i cili pasi është futur në anën e lokalit ku ndodhej ende i gjallë shtetasi Albi Limaj duke konstatuar plagosjen e tij.
Shtetasi Albi Limaj ka dalë nga lokali nga e njëjta hyrje që edhe është futur në verandën e tij, ndërsa i pandehuri Aleksandër Llanaj, ka dalë nga pjesa tjetër e lokalit nga ku ishin futur dhe qëndronin në verandë të shtrirë në tokë kufomat e shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.
Rezulton se i pandehuri Aleksandër Llanaj është futur në automjetin BMV X5, me targa AA 323 AO që drejtohej nga i pandehuri Ani Begaj dhe ka komunikuar me këtë të fundit.
Më pas, i pandehuri Ani Begaj është afruar tek i pandehuri Bertil Aliaj me të cilin kanë komunikuar dhe ku i ka dhënë armën e luftarake që i pandehuri Aleksandër Llanaj ka bërë goditjet.
Më pas, i pandehuri Bertil Alliaj dhe i pandehuri Ani Begaj pasi nuk kanë mundur të bëjnë dërgimin në automjet edhe të shtetasit Albi Limaj për shkak se ky i fundit kishte rënë i shtrirë në asfalt, i pandehuri Bertil Aliaj është larguar me vrap.
Gjatë largimit të tij, Alliaj është parë me dy armë dhe rezulton nga akti i ekspertimit kimik se ai ka faktor plotësues të qitjes në dorë.
Alliaj është larguar midis pallateve, i pandehuri Ani Begaj ka dërguar në spital të pandehurin Aleksandër Llanaj për shkak se ky i fundit rezultonte i plagosur.
“Fillimisht nga vendi i ngjarjes është larguar kufoma e shtetasit Albi Limaj. Nga kqyrja e kufomës rezulton se në trupin e viktimës vihet re një goditje me armë që i ka shkaktuar vdekjen dhe se gjatë kqyrjes i është gjetur një predhë.
Sipas aktit të ekspertimit balistik, rezulton se predha që i është gjetur shtetasit Albi Limaj është qitur nga arma e të pandehurit Aleksandër Llanaj, ndërkohë që ky ishte spostuar në drejtim të hyrjes tjetër për në verandën e lokalit ku ndodheshin shtetasit Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Si pasojë e goditjeve me armë të të pandehurit Aleksandër Llanaj ka gjetur vdekjen shtetasi Albi Limaj.”
Nga sa më sipër, rezulton se i pandehuri Aleksandër Llanaj ka kryer vrasjen me dashje me armë luftarake të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, veprime këto të cilat i ka kryer në bashkëpunim me shtetasit Ani Begaj, Bertil Alliaj dhe të ndjerin Albi Limaj (i cili ka organizuar edhe takimin).
Prokuroria thotë se “në lidhje me vrasjen e të ndjerit Albi Limaj, i pandehuri Aleksandër Llanaj duke e ekspozuar këtë të fundit me dashje ndaj goditjeve me armë të realizuara prej tij i ka shkaktuar atij vdekjen”.
Përfundimisht, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë çmon se i pandehuri Aleksandër Llanaj ka kryer veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” të shtetasve Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj të kryer në bashkëpunim.