Nuk ka gjeneratë fëmijësh që nuk kujton skenën kur princi i kaltër puth Borëbardhën e bukur, duke e zgjuar nga një gjumë që dukej i pafund.
Është momenti kulmor i përrallës së njohur, një nga çastet më romantike dhe të kopjuara të shekullit të kaluar, të paktën nga 21 dhjetori i vitit 1937, kur bëri debutimin e tij versioni i realizuar nga Ëalt Disney.
Por në një kohë ku dyshimet dhe tentativat për të ndryshuar rrjedhën e historisë dhe traditave po bëhen gjithmonë e më të forta, të çuara në ekstrem nga ajo që cilësohet si “cancel culture”, pra qasja që mohon dhe dënon çdo ngjarje historike që nuk përkon me sistemin e vlerave të sotme, edhe puthja e njohur po shndërrohet në burim polemikash.
Në Disneyland, parku i famshëm i lojërave që ndodhet në Kaliforni, një nga atraksionet më të pritura pas 400 ditë mbyllje për shkak të pandemisë ishte pikërisht pjesa e dedikuar Borëbardhës.
Duke ndërthurur elementë modernë me ato tradicionalë, përgjegjësit e parkut kishin vënë edhe pjesën e puthjes së njohur. Diçka që tërhoqi fillimisht vëmendjen e disa portaleve si San Francisco Gate, ku autoret pasi i bënë komplimente organizimit të përgjithshëm, ndoshta edhe pa të keq kritikuan atë skenë, duke cilësuar puthjen në fjalë si akt i pavullnetshëm, nga ana e Borëbardhës. “Princi e puth kur ajo është në gjumë. Si mund të jetë kjo gjë e pranuar nga Borëbardha, si mund të jetë ky simbol i dashurisë?“.
Mjaftuan këto fjalë që çështja të “ndizte” debatin në rrjetet sociale, ku nuk munguan kërkesat e shumta për heqjen e skenës klasike, diçka që kishte ndodhur edhe tre vjet më parë, pa marrë asnjë përgjigje nga Disney. Por kanë qenë të shumta edhe reagimet që janë kundër heqjes së skenës klasike. Por në një epokë ku sensibiliteti po ndryshon dita ditës, edhe Borëbardha mund të rrezikojë të mbetet përjetësisht në gjumë.