Bota Puthja ikonike në “Times Square”, shuhet marinari

Puthja ikonike në “Times Square”, shuhet marinari

Është shuar në moshën 95-vjeçare George Mendosa, njeriu që njihet si marinari i përjetësuar në një nga fotografitë më ikonike në botë.

Imazhi, ku një marinar puthet me një grua të panjohur në sheshin “Times Square”, është shkrepur gjatë celebrimit të dorëzimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore në gusht të 1945.

Fotografia historike që mban autorësinë e Alfred Eizenstad është publikuar në revistën ‘Life’, pa identitetin e protagonistëve.

Gruaja në imazhin e titulluar “Dorëzimi pa Kushte” është Greta Zimmer Friedman.

Greta Zimmer Friedman humbi jetën në vitin 2016 nga pneumonia në një spital të Richmondit në Virxhinia.

Historia pas fotos

Friedman ishte një ndihmësdentiste 21-vjeçare, kur u mbërthye dhe u puth nga George Mendosa, në sheshin “Times Square” të Nju Jorkut më 14 gusht të vitit 1945.

Fotoja që përjetësoi këtë moment u bë një prej imazheve më të forta të festimeve për fitoren në SHBA. Fillimisht ajo u publikua si pjesë e shumë fotografive të tjera festive në revistën “Life”.

Vetë Friedman ka thënë se nuk kishte qenë në dijeni të ekzistencës së fotos deri në vitet ’60, kur ajo pa një libër të burrit që e kishte realizuar atë, fotografi i njohur Alfred Eisenstaedt.

Të shumtë ishin ata që pretenduan se ishin marinari dhe infermierja në foton e famshme, e vetëm në vitet ’80 u konfirmua se bëhej fjalë për Greta Friedman dhe George Mendosa.