NATO pritet që të nisë një sërë stërvitjesh ushtarake gjatë së cilave do të praktikohet edhe përdorimi i bombave bërthamore të Evropës. Ushtrimet pritet të fillojnë të hënën ndërsa lajmi vjen në një kohë kur presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se çdo përfshirje e Aleancës në luftë do të bëhej shkak për një “katastrofë globale”.
Në stërvitjen vjetore që mban emrin “Steadfast Noon”, do të përdoren 60 avionë ndërsa ushtrimet do të bëhen në Belgjikë, Detin e Veriut dhe Britaninë e Madhe. Megjithatë, Aleanca ka shpjeguar se gjatë ushtrimeve nuk do të përdoren bomba aktive bërthamore, ndërsa shtoi po ashtu se ushtrimet nuk janë të lidhura me asnjë nga ngjarjet e fundit.
Në njoftimin e bërë në faqen zyrtare të NATO-s, sqarohet se ushtrimet do të zgjasin deri më 30 tetor, dhe janë rutinë, pra me aktivitete trajnuese. Zëdhënësja Oana Lungescu u shpreh se stërvitja do të ndihmojë që parandaluesit bërthamorë të NATO-s të mbeten të sigurt dhe efektivë.
Vendi që i organizon stërvitjet ushtarake është Belgjika dhe në to do të marrin pjesë 14 shtete dhe 60 avionë, duke përfshirë avionët ushtarakë më të avancuar në treg si “U.S. B-52”.
Nga ana tjetër, pamjet satelitore tregojnë se Putin ka rritur numrin e bombarduesve bërthamorë në bazën ushtarake pranë kufirit finlandez dhe norvegjez.
Sipas fotove të publikuara online, në bazën “Olenya”, në gusht të këtij viti nuk kishte asnjë avion, ndërsa tani, aty ndodhen 11 aeroplanë supersonikë Tu-160s.