Presidenti Vladimir Putin ka deklaruar se Perëndimi nuk po i merrte mjaft seriozisht paralajmërimet e Rusisë për të mos kaluar “vijat e kuqe” të saj dhe se Moska duhej të merrte garanci serioze sigurie nga Perëndimi.
“Duhet të kemi parasysh që partnerët perëndimorë e përkeqësojnë situatën duke i dorëzuar Kievit armë vdekjeprurëse moderne dhe duke kryer ushtrime provokuese në Detin e Zi, dhe jo vetëm në Detin e Zi, por në rajone që ndodhen afër kufijve tanë. Ne vazhdimisht tregojmë shqetësimet tona, ne flasim për vija të kuqe, por sigurisht e kuptojmë se partnerët tanë i marrin të gjitha paralajmërimet tona shumë sipërfaqësore”.
Në një fjalim para zyrtarëve të politikës së jashtme në Moskë, Putin tha se bisedimet për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainën lindore po shkojnë drejt një rruge qorre dhe akuzoi Perëndimin për përdorimin e krizës së emigrantëve në Bjellorusi kundër aleatit të Moskës, Minskut.
Putin gjithashtu i përshkroi marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara si “të pakënaqshme”, por tha se Moska ishte e hapur për dialog dhe samiti i qershorit me presidentin Joe Biden kishte lënë hapësirë për një përmirësim të marrëdhënieve.
“Po, në shumë çështje dypalëshe dhe ndërkombëtare interesat, vlerësimet, pozicionet tona vërtet ndryshojnë, siç e dinë të gjithë, ndonjëherë në mënyrë radikale. Dua të them edhe një herë, ne jemi të hapur për kontakte dhe shkëmbime mendimesh dhe për dialog konstruktiv”, tha Putin.