Presidenti rus Vladimir Putin i ka bërë një sfidë të re sigurisë ndërkombëtare. Putin ka dërguar në ujërat e Arktikut, nëndetësen bërthamore Belgorod për të testuar super raketën Poseidon, që konsiderohet si “arma e Apokalipsit”.
Poseidon, një raketë ndërkontinentale 24 metra të gjatë me kapacitet bërthamor mund të lëvizë deri në 10 mijë kilometra nën ujë dhe mund të zhdukë qytete të mëdha bregdetare si Nju Jorku e Los Anxhelesi nga distanca shumë të largëta, duke krijuar valë cunami radioaktive.
Alarmin e jep zbulimi i NATO-s, që sipas të përditshmes italiane La Repubblica ka njoftuar vendet aleate për rrezikun e sulmeve bërthamore që mund të kryejë kjo nëndetëse.
Nëndetësja Belgorod që testohet për herë të parë në ujëra ndërkombëtare mund të mbajë 8 raketa shkatërrimtare Poseidon.
Me peshë 14 700 ton, kjo nëndetëse lundron në një thellësi deri 184 metra nën ujë me një shpejtësi maksimale 200 km/orë, për 120 ditë pa dalë në sipërfaqe falë karburantit bërthamor. Belgorod u prezantua nga Moska për të parën herë, 4 vite më parë.
Aleanca ka paralajmëruar Rusinë për pasoja të rënda, nëse përdor armët bërthamore.
Paralajmërimi u bë pasi shefi i Kremlinit kërcënoi me përdorimin e armëve bërthamore, nëse sulmohet territori rus, pjesë të të cilit, ai konsideron edhe 4 rajonet ukrainase të aneksuara javën e kaluar.