Presidenti rus, Vladimir Putin, do të marrë vaksinën Sputnik V kundër koronavirusit, tha zëdhënësi i Kremlinit për kanalin televiziv shtetëror Rossiya 1.
“Putin tha se do të vaksinohet, ai e kishte marrë këtë vendim dhe po priste derisa të përfundonin të gjitha formalitetet”, tha Dmitry Peskov.
Kjo deklaratë vjen pasi agjencitë pranë Ministrisë së Shëndetësisë kanë miratuar përdorimin e vaksinës vendase Sputnik V dhe për personat mbi 60 vjeç.
Rusia e miratoi vaksinën e saj në fillim të gushtit, duke e bërë atë vaksinën e parë të koronavirusit që mori miratim zyrtar nga një vend. Ndërkaq, në fillim të dhjetorit, në Moskë, nisi një program vaksinimi vullnetar me grupet më vulnerabël nga pandemia.
Presidenti 68-vjeçar kishte deklaruar më herët se Sputnik V ishte efektive dhe e sigurt, dhe se ai nuk shihte asnjë arsye që njerëzit të mos vaksinoheshin.
Që prej shpërthimit të koronavirusit në Rusi, Putin ka punuar kryesisht në distancë, ka mbajtur takime përmes videokonferencave dhe ka kufizuar ndjeshëm udhëtimet.