Bota Putin: Do t’i godasim avionët F-16 edhe në aeroportet e NATO-s

Putin: Do t’i godasim avionët F-16 edhe në aeroportet e NATO-s

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin thotë se nuk kanë në plan të sulmojnë asnjë vend të NATO-s, Poloninë, shtetet baltike apo Çekinë, por forcat ruse do të rrëzojnë çdo avion F-16 që Perëndimi mund të dërgojë në Ukrainë.

Duke folur me pilotët rusë të forcës ajrore, Presidenti Putin u shpreh se NATO, e udhëhequr nga SHBA, është zgjeruar në lindje drejt Rusisë që pas rënies së Bashkimit Sovjetik, por Moska nuk ka në plan të sulmojë një shtet anëtar të NATO-s.

“Ne nuk kemi synime agresive ndaj këtyre shteteve. Ideja se ne do të sulmojmë një vend tjetër, Poloninë, shtetet baltike, edhe çekët po tremben tani, është absurditet i plotë, është një nxitje”, tha Putin, sipas një transkripti të lëshuar nga Kremlini.

Duke komentuar planet e Perëndimit për të dërguar avionë luftarakë F-16 në Ukrainë, Presidenti Putin theksoi se kjo nuk do të ndryshojë asgjë në fushëbetejë. E nëse ndodh, u shpreh Putin, Rusia do t’i rrëzojë avionët që do të dërgojë Perëndimi, madje edhe nëse do të gjenden në aeroportet e Nato-s, raporton Ansa.

“Nëse do të përdoren nga aeroporte të vendeve të treta, për ne do të jenë një objektiv legjitim, nuk ka rëndësi se ku gjenden”, tha Putin sipas agjencisë së lajmeve Tass.

Vendet Perëndimore duket se po stërvisin pilotë ukrainas për të pilotuar avionët F-16. Këta të fundit pritet të dërgohen në Ukrainë muajin e ardhshëm, sipas një deklarate të ministrit të Jashtëm ukrainas.