Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha në sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se tregtia globale duhet të çlirohet nga sanksionet e paligjshme.
Ai gjithashtu dënoi një “mungesë humanizmi” në çështjet ndërkombëtare në epokën e pandemisë së koronavirusit.
Duke iu drejtuar asamblesë, presidenti rus shtoi se do të duhet një kohë e gjatë për të ringjallur ekonominë globale nga dëmet e shkaktuara nga koronavirusi.
Sipas Putinit, do të jetë e nevojshme të bëhen zgjedhje radikale. Presidenti rus shtoi se Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet ‘të marrë parasysh më shumë interesat e të gjitha vendeve’.
“Unë do të doja të tërhiqja edhe një herë vëmendjen te propozimi rus për futjen e të ashtuquajturave ‘korridore të gjelbërta’, të cilat do të ishin të lira nga luftërat tregtare dhe sanksionet, kryesisht për mallrat thelbësore, ushqimet, ilaçet dhe pajisjet mbrojtëse personale, të cilat nevojiten shumë për të luftuar pandeminë”, tha ai.
“Në përgjithësi, çlirimi i tregtisë botërore nga barrierat, ndalimet, kufizimet e sanksionet e paligjshme mund të ndihmojnë për të rivendosur rritjen globale dhe për të ulur papunësinë”, shtoi ai.
Putini gjithashtu nxiti OKB-në të përshtatet me situatën e tanishme globale.
“Ajo duhet të pasqyrojë në zhvillimin e saj dinamikën e shekullit të 21-të dhe vazhdimisht t’i përshtatet realiteteve të botës moderne, e cila me të vërtetë po bëhet më komplekse, multipolare, shumë dimensionale”, shpjegoi ai.
Ndërkohë, Putin gjithashtu tërhoqi vëmendjen se si disa vende kishin shfaqur atë që ai e quajti “mungesë humanizmi” gjatë krizës.