Shefi i Kremlinit përjashton prishjen e marrëdhënieve me Uashingtonin: Do të zhvillojë raporte më të gjitha vendet e botës
Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka uruar presidentit amerikan, Joe Biden – që dje e kishte cilësuar si një vrasës – “shëndet të mirë“. “Përsa i përket deklaratave të kolegut amerikan, siç tha ai, ne njihemi personalisht. Çfarë do t’i përgjigjesha? Do ti thoja: ji i shëndetshëm! I uroj shëndet të mirë“, deklaroi Putin gjatë një takimi në Krime, duke komentuar për herë të parë fjalët e shefit të Shtëpisë së Bardhë. Lideri rus nënvizoi se fjalët e tij nuk ishin ironike dhe as që donte të bënte shaka.
Kjo është replika e parë e presidentit rus pas sulmit të ashpër të Biden që gjatë një intervistë televizive e pati cilësuar Putin si një “vrasës” dhe “të pashpirt”. Lidhur me akuzën se është një vrasës, Putin u përgjigj tekstualisht: “Kush e thotë e di që është”
Shefi i Kremlinit në përgjigjen e tij shtoi: “Nëse Shtetet e Bashkuara mendojnë se rusët arsyetojnë si ata, gabojnë: janë popuj të ndryshëm gjenetikisht”, por siguroi se nuk do të donte të prishte marrëdhëniet me Uashingtonin: “Rusia do të zhvillojë raporte më të gjitha vendet e botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara”.
Megjithatë, Moska ka kërkuar shpjegime nga SHBA për akuzat e Biden (i bindur në bazë të raporti të shërbimeve sekrete se rusët kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale). “Pse duhet ti përkthejmë gjithnjë marrëzitë e tyre të çuditshme politike në një diskutim normal?”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme. Siç dihet, Rusia ka thërritur në atdhe ambasadorin e saj në Uashington në shenjë proteste kundër fjalëve të Biden.