Vladimir Putin tha se Rusia do të jetë e detyruar të reagojë, nëse NATO shkel vijat e kuqe të vendosura prej saj në Ukrainë. Ai shtoi se Moska e sheh vendosjen e disa armatimeve perëndimore në tokën ukrainase si një shkak për reagim.
“Nëse në territorin ukrainas shfaqen sisteme sulmuese, koha që ato të mbërrijnë në Moskë do të jetë 7-10 minuta, dhe 5 minuta në rastin e armëve hipersonike. Çfarë duhet të bëjmë ne nëse realizohet një skenar i tillë? Do të duhet të krijojmë diçka të ngjashme në lidhje me ata që na kërcënojnë. Dhe mund ta bëjmë tani”, tha Putin në një forum ku po merrte pjesë.
Presidenti shtoi se Rusia kishte testuar me sukses predhën hipersonike, që mund të udhëtojë me një shpejtësi nëntë herë më të madhe sesa e zërit. “Krijimi i këtyre kërcënimeve në Ukrainë përbën një vijë të kuqe për ne. Shpresoj të mos shkojë puna deri aty”.
Më herët, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se një agresion rus ndaj Ukrainës do të kishte pasoja të rënda. Perëndimi akuzon Moskën se po mobilizon trupa në kufi me Ukrainën, por nga ana tjetër edhe Putin akuzon NATO-n se po kryen manovra të rrezikshme pranë kufirit të saj.
Frika për një luftë mes palëve është tepër e madhe, për shkak edhe të paralajmërimeve të vetë Ukrainës, por edhe agjencive të ndryshme të inteligjencës për faktin që Rusia po planifikon të pushtojë Ukrainën.