Bota Putin josh aleatët me armët e reja ruse, akuzon Perëndimin për zgjerimin...

Putin josh aleatët me armët e reja ruse, akuzon Perëndimin për zgjerimin e NATO-s edhe në Azi

Vladimir Putin thotë se Rusia po vlerëson marrëdhëniet e saj me vende të Amerikës Latinë, Azisë dhe Afrikës dhe është gati tu ofrojë aleatëve të saj armë moderne. Shefi i Kremlinit shfrytëzoi ceremoninë e armëve 2022 në Moskë të hënën për të shfaqur krenarinë e tij për kapacitetet e armëve të avancuara e modern dhe për të deklaruar gatishmërinë e tij për t’i ndarë këto armë me aleatët, me vendet që mendojnë njësoj si Rusia.

“Ne jemi gati t’i ofrojmë aleatëve tanë armë më moderne, nga armët e vogla deri te mjetet ushtarake dhe artilerinë e rëndë për të luftuar aviacionin dhe mjetet e tjera ajrore. Thuajse të gjitha këto armë janë përdorur në realitet, në operacionet e luftës”, tha Putin në fjalën e tij.

Analistë të ushtrive perëndimore thonë se performanca e varfër dhe e dobët e trupave ruse në terren, edhe sa i takon armatimeve, mund të bëjë që eksportet e saj të armëve të jenë gjithnjë e më pak atraktive në sytë e blerësve potenciale, si India, e cila duket se po shkëputet dalëngadalë nga armët e vjetra.

Fjalimi i Putin vjen kur mbushen thuajse 6 muaj që kur Rusia dërgoi mijëra trupa ushtarake në Ukrainë, atje ku ushtria e Moskës po vuan humbje të mëdha, edhe pse zyrtarisht Kremlini nuk i njeh të tilla në numra.

Gjatë fjalës së tij në konferencën e sigurisë në Moskë, të martën, Putin tha gjithashtu se shtetet perëndimore po përpiqen të ngrenë një sistem si NATO edhe në rajonin e Azi-Paqësorit. Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara se po përpiqen ta zgjerojnë konfliktin përtej Ukrainës, ndërsa e quajti një provokim të planifikuar mirë vizitën e kryetares së Kongresit amerikan, Nancy Pelosi, në Tajvan.