Bota Putin ka Parkinson? Zbulimi i bujshëm për sëmundjen e presidentit rus

Putin ka Parkinson? Zbulimi i bujshëm për sëmundjen e presidentit rus

Ai që flet për këtë “sëmundje të rëndë” është politologu Solovei. Por, Kremlini e mohon: “Presidenti gëzon shëndet shumë të mirë”. Ajo që është e sigurt është se që nga fillimi i pandemisë ai ka jetuar në izolim të plotë në një bunker pa dritare.

Vladimir Putin thuhet se po përgatitet të tërhiqet nga politika për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Dyshohet se presidenti rus vuan nga sëmundja e Parkinsonit dhe ka vendosur t’i nënshtrohej presionit të familjes së tij, e cila këmbëngul të heqë dorë nga të gjitha angazhimet dhe të mendojë mbi të gjitha për t’u kuruar. Dorëheqja mund të vijë në janar.

Ai që zbulon skenarin e bujshëm është politologu Valery Solovei, i cili ishte profesor në Institutin Shtetëror të Moskës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, përpara se të shkarkohej në vitin 2019 sepse ai konsiderohej shumë kritik ndaj Kremlinit. Akademiku konfirmoi për “Corriere della Sera” deklaratat e bëra më parë në një intervistë për radion “Echo of Moscow”.

“Vladimir Vladimirovich synon të largohet nga zyra e tij para afatit për shkak të problemeve serioze shëndetësore dhe ligjet në përgatitje të Dumës duhet të lexohen pikërisht në këtë këndvështrim”, shpjegon Solovei, duke iu referuar dy projekteve të reja legjislative të paraqitura ditët e fundit në Dhomën e ulët me iniciativë të të njëjtit president. E para do t’i garantonte Putinit imunitet të plotë për jetën, jo vetëm për krimet e kryera gjatë ushtrimit të detyrave të tij, por edhe si një qytetar privat. E dyta parashikon që pas dorëheqjes çdo president rus do të bëhet senator për gjithë jetën.

Plani, – thotë politologu, – është që kjo paketë të miratohet para fundit të vitit”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, mbrojti dy projektligjet dhe i cilëson ato në përputhje me pjesën tjetër të botës: “është praktikë e ndjekur në shumë vende dhe është e justifikuar”.

Peskov gjithashtu mohoi thashethemet rreth sëmundjes: “Të gjitha janë të pakuptimta. Presidenti është në gjendje të shkëlqyer shëndetësore dhe është mirë”. Është marrëzi absolute”, tha Peskov, citon Reuters. “Çdo gjë është në rregull me presidentin”.

I pyetur nëse Putini po planifikonte të tërhiqej në të ardhmen e afërt siç kishte sugjeruar Solovei, Peskov tha: “Jo”.

Solovei nuk specifikon se cila është sëmundja e Putinit. Sipas analistëve të tjerë rusë, komentet e tij do të pasqyroheshin në disa pamje të kohëve të fundit, në të cilat Putin duket jo në formë, duke iu dridhur këmbët, ndërsa përpiqej të mbante veten duke kapur krahun e një kolltuku. Në të njëjtën shkrepje, presidenti rus lëviz me nervozizëm një stilolaps mes gishtave të tij dhe kap një filxhan që vëzhguesit thonë se përmbante një qetësues. Të gjitha këto janë indikacione që sugjerojnë Parkinsonin.

Por sipas Solovei, Putin do të kishte një sëmundje edhe më serioze, e cila, nëse nuk trajtohet si duhet, mund ta parandalojë atë nga ushtrimi i plotë i funksioneve të tij përtej vitit 2021.

Një thashethem asnjëherë i konfirmuar vitet e fundit është se presidenti rus iu është nënshtruar transfuzione të vazhdueshme të gjakut. Është një fakt se që nga fillimi i pandemisë, masat mbrojtëse të presidentit kanë qenë mbresëlënëse: Putin jeton në izolim total, merr pjesë në takime në distancë, i mbyllur në një bunker pa dritare dhe rrallë shfaqet në publik.

Për momentin, “askush nuk e di saktësisht” dhe “vendimi nuk është marrë ende”, por Putin iu ka rrëfyer bashkëpunëtorëve të tij se ai “mund të bënte një njoftim në janar”. Mbi vendimin peshon këmbëngulja e Alina Kabaeva, partnerja e jetës së Putinit, dhe mbi të gjitha të dy vajzave të presidentit, Marina Vorontsova dhe Katerina Tikhonova: “Është një familje që nuk ka një rol publik, por ka shumë ndikim mbi të”, thotë Solovei.

Skenari i një dorëheqjeje të parakohshme hedh një dritë tjetër mbi leximin deri më tani dominant të reformës kushtetuese të fundit, të miratuar në një referendum, i cili tani lejon Putinin të riaplikojë për dy mandate të tjera pas 2024-s, kur skadon ai aktual, dhe për këtë arsye teorikisht të mbetet në detyrë deri në vitin 2036, kur ai do të mbushte 84 vjeç.

Nëse hipoteza e tërheqjes do të ishte e vërtetë, atëherë Putini do të kishte vepruar për të shmangur gjendjen në kushtet e një “rose të çalë” dhe për të organizuar trashëgiminë e tij në një autonomi të plotë dhe të lirë nga presioni./Corriere/ American Eye