Kryesore Putin, kancelarit gjerman: Po shtohen mercenarët nga Shqipëria në Ukrainë. Reagon Yuri...

Putin, kancelarit gjerman: Po shtohen mercenarët nga Shqipëria në Ukrainë. Reagon Yuri Kim dhe Xhaçka

Gjatë telefonatës me presidentin rus Vladimir Putin, kancelari gjerman Olaf Scholz shprehu shqetësimet e tij për viktima të shumta civile në Ukrainë.

Putin u përgjigj duke thënë se “për tetë vjet rresht, partnerët perëndimorë kishin mbyllur një sy mbi krimet e gjenocidit të kryera nga regjimi i Kievit kundër banorëve të republikave të Donbasit, si dhe për vdekjen e rreth 14,000 njerëzve, përfshirë mijëra fëmijë”.

Gjatë bisedës, Putin konfirmoi se Rusia ishte e hapur për dialog me palën ukrainase, si dhe me të gjithë ata që duan paqe në Ukrainë, me kusht që të plotësohen të gjitha kërkesat ruse.

“Rusia e di se numri i mercenarëve nga vendet e treta në Ukrainë është rritur. Bëhet fjalë për mercenarë nga Shqipëria dhe Kroacia, mercenarë të Kosovës e deri tek xhihadistët me përvojë të operacioneve ushtarake në Siri”, raportohet të ketë thënë Putin gjatë bisedës më Scholz raporton gazeta ruse Pravda në gjuhën angleze.

Nga ana tjetër, kancelari gjerman i ka bërë thirrje Putin që të ndërpresë menjëherë aktet armiqësore në Ukrainë dhe të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare. Schoz ka shprehur shqetësim të thellë për vazhdimin e luftimeve dhe viktimat në popullatën civile.

Putin kundërshtoi duke theksuar se ushtria ruse po tregohet e kujdesshme në këtë drejtim duke kursyer jetët e civilëve në Ukrainë dhe akuzoi qeverinë e Kievit për informata false.

E ndërsa Putin tentoi sërish të përfshijë Ballkanin në luftën në Ukrainë, ka ardhur edhe reagimi i ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka. Ministrja thotë se nuk ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë dhe e cilëson si gënjeshtër të Moskës.

“Nuk ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë! Kjo është një gënjeshtër që Moska vazhdon ta përsërisë pa turp! Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe do të vazhdojë të punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të ndihmuar në përfundimin e agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës. Zoti i bekoftë ata”, deklaroi Xhaçka.

Njw reagim ka ardhur edhe nga ambasadorja amerikane nw Tiranw, Yuri Kim. Diplomatja amerikane thotë se “fushata ruse e dezinformimit është në mbingarkesë. Këto janë gënjeshtra të krijuara për të ngritur dyshime dhe për të hequr vëmendjen nga e vërteta, që është se Rusia ka pushtuar Ukrainën”.

Ambasadorja shton se “Rusia është e përfshirë në një sulm të paramenduar, të paprovokuar, të pajustifikueshëm ndaj një kombi tjetër sovran”.